Një yll i madh debutoi më në fund me Klivlendin në NBA

schedule16:46 - 3 Janar, 2018

schedule 16:46 - 3 Janar, 2018

Një yll i madh la pas dëmtimin dhe u kthye më në fund në basketbollin amerikan. Tomas debutoi me fanelën e Klivlendit, duke ndihmuar Lebron Xhejmsin në fitoren e radhës.

Lebron Xhejms më në fund do ta ketë shokun që kërkonte.
Boshësia e madhe e lënë nga largimi i Kajri Irvingut, mund të plotësohet fare mirë nga Ajsajah Tomas.
Ish-udhëheqësi i Bostonit, i afruar në verë pas kalimit të Irvingut pikërisht tek Sëlltiksat, priti gjatë, por e bëri më në fund debutimin me fanelën e re.
Dëmtimi i rëndë u la pas, dhe Tomas shkëlqeu siç bënte në Boston, duke shënuar 17 pikë në vetëm 18 minuta në parket.

Ai shërbeu edhe 3 pasime për kosh dhe u duk në ritmin e duhur, ndërsa tani pret duelin me ish-ekipin e tij, Bostonin.
Natyrisht, Tomas nuk ishte vetëm në fitoren ndaj Portlendit, me shifrat 127-110.
Lebron Xhejms e bëri si gjithnjë detyrën e tij.
Ylli më i madh i basketbollit luajti diçka më pak se zakonisht, por sërish shënoi 25 pikë, kapi 6 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, duke shkëlqyer në vjedhjen e topave me 4 të tillë.
Për fat, tashmë Xhejms ka më shumë alternativa në skuadër.

Kevin Lov shënoi 19 pikë, Kraudër 17 dhe Duejn Uejd shtoi 15 pikë.
Ndoshta, me klasin e Xhejmsit dhe praninë e Tomasit, Klivlendi mund të rivalizojë me Golden Stejtin për të fituar titullin në NBA./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!