Kreu i Rojeve Revolucionare të Iranit duke bërë me dije se manifestimet e dhunshme kanë përfunduar u shpreh se “kryengritësit janë mundur”. Ndërkohë, në shumë qytete të Iranit janë zhvilluar protesta pro-qeveritare.
Kreu i Rojeve Revolucionare të Iranit ka deklaruar mposhtjen e “kryengritjes” në vend, duke iu referuar një valë proteste kundër qeverisë. Gjeneral Majti Mohammad Ali Jafari bëri njoftimin kur dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në tubime pro-qeveritare të thirrura për të luftuar trazirat. Protestat filluan të enjten e kaluar në qytetin e Mashhad. Protestat fillimisht ishin kundër rritjes së çmimeve dhe korrupsionit, por u kthyen në një ndjenjë më të gjerë anti-qeveritare.
“Mund të themi se ky është fundi i kryengritjes së vitit 96”, u shpreh gjenerali duke iu referuar vitit aktual – 1396 – në kalendarin persian. Ai tha se “gatishmëria e sigurisë dhe vigjilenca e njerëzve” çuan në humbjen e “armiqve”. Zyrtari fajësoi agjentët anti-revolucionarë, pro-monarkistët dhe forca të tjera, për të cilët tha se ishin “shpallur nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton për të krijuar trazira, anarki, pasiguri dhe intriga në Iran”.
“Armiqtë” u përpoqën të paraqesin “kërcënime kulturore, ekonomike dhe të sigurisë kundër Iranit islamik”, tha Ali Jafari. Komentet e tij i bënë jehonë atyre të udhëheqësit të Lartë Ajatollah Ali Khamenei, i cili gjithashtu fajësoi “armiqtë” e papërcaktuar që analistët besojnë se i referoheshin SHBA, Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Në disa nga manifestimet e shumta pro-qeveritare të transmetuara nga televizioni shteror i Iranit, dëgjoheshin thirrje të tilla: “vdekje mercenarëve amerikanë; gjaku në venat tona është një dhuratë për liderin tonë”.
Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë, presidenti iranin Hasan Rohani ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan. Sipas mediave ndërkombëtare, Rohani i ka thënë Erdogan se autoritetet iraniane nuk do të qëndrojnë në heshtje përballë dhunës dhe akteve të tjera të paligjshme./abcnews.al