Rusia tha këtë të shtunë se një korrespondent rus i luftës, Semyon Eremin, u vra nga një dron ukrainas.
Në një deklaratë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se incidenti ndodhi më 19 prill dhe se Eremin, një korrespondent i gazetës së përditshme ruse Izvestia, vdiq nga plagët. Sipas Zakharova, ishte Eremin “ai që publikoi prova dokumentare që korrespondentët rusë në vijën e frontit u shpallën objektiva vrasjeje prioritare” për trupat ukrainase.
“Vrasja e Semyon Eremin, ky krim i përgjakshëm, nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si një akt hakmarrjeje për përmbushjen e ndershme të një detyre gazetareske”, tha ajo. Zakharova kërkoi nga organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe organet e të drejtave të njeriut që “të dënojnë menjëherë dhe me vendosmëri një tjetër vrasje brutale të një gazetari rus”.
Nga ana tjetër nuk kemi asnjë konfirmim nga Ukraina për vrasjen.