Liderët e BE-së mblidhen sot në Bruksel, temat që priten të diskutohen në samitin dy ditor

schedule14:06 - 17 Prill, 2024

schedule 14:06 - 17 Prill, 2024

Liderët e BE-së do të mblidhen sot pasditë në Bruksel në një samit që pritet të zgjasë dy ditë. Temat kryesore do të jenë ekonomia dhe konkurrueshmëria e BE-së, lufta në Ukrainë, marrëdhëniet BE-Turqi, por edhe situate që mbizotëron në Lindjen e Mesme, pas sulmeve iraniane kundër Izraelit fundjavën e kaluar.

Në ditën e parë sot, liderët do të mblidhen në orën 19:00. Pas diskutimit të zakonshëm me Presidentin e Parlamentit Europian, liderët europianë do të diskutojnë gjatë darkës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme.

Debati do të fillojë me luftën në Ukrainë dhe deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, nëpërmjet telekonferencës, i cili pritet të apelojë për mbështetje për Kievin, kryesisht me mjete kundërajrore dhe raketa Patriot.

Më pas, diskutimi i liderëve europianë për Ukrainën do të fokusohet në situatën kritike në fushën ushtarake dhe përpjekjet për të mbështetur mbrojtjen e vendit kryesisht me mjete kundërajrore nga njëra anë dhe nga ana tjetër infrastrukturën e saj energjetike e cila është dëmtuar nga sulmet e vazhdueshme ajrore dhe raketore të Rusisë. Udhëheqësit europianë do të diskutojnë gjithashtu përparimin e mëtejshëm dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës.

Për sa i përket Lindjes së Mesme, liderët do të fokusohen në tre pika kryesore: kriza Iran-Izrael pas sulmeve iraniane, situata dramatike në Rripin e Gazës dhe Liban.

Lidhur me krizën Iran-Izrael, sipas draft-konkluzioneve të Këshillit Europian, liderët europianë do të dënojnë sulmet iraniane kundër Izraelit, ritheksojnë solidaritetin e tyre të plotë me popullin izraelit dhe angazhimin e tyre për sigurinë e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Udhëheqësit e 27 vendeve pritet t’i bëjnë thirrje Iranit dhe mbështetësve të tij që të ndalojnë të gjitha sulmet.

Lidhur me situatën në Rripin e Gazës, liderët evuropianë pritet të bëjnë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” dhe kalimin e më shumë ndihmave humanitare dhe lirimin e pengjeve.

Boshti i tretë i diskutimit është kriza e zgjatur në Liban lidhur me paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike, kushtet e pasigurisë dhe numrin e madh të refugjatëve që ai pret nga vendet fqinje.

Në një kohë kur Qipro po përballet me një fluks të konsiderueshëm refugjatësh sirianë nga Libani, liderët europianë pritet të riafirmojnë mbështetjen e fortë të BE-së për Libanin, veçanërisht për refugjatët dhe komunitetet e tyre pritëse.

Tema e marrëdhënieve BE-Turqi do të diskutohet në darkën e punës së krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe tregtisë bazuar në raportin që Borrell (Përfaqësuesi i Lartë i BE-së) paraqiti nëntorin e kaluar.

Liderët europianë do të theksojnë njëkohësisht se BE-ja i kushton rëndësi të madhe rifillimit të negociatave për zgjidhjen e problemit të Qipros, bazuar në rezolutat e OKB-së, të cilat do të lehtësonin afrimin dhe bashkëpunimin BE-Turqi.

Dita e dytë e samitit do t’i kushtohet çështjes së ekonomisë dhe konkretisht marrëveshjes së re europiane të konkurrencës.

Samite  do të fillojë në orën 10:30 me prezantimin para liderëve europianë të raportit të tregut të përbashkët të përgatitur nga ish-kryeministri italian Enrico Letta.

Është një dokument prej rreth 150 faqesh, i cili thekson rëndësinë e burimeve të veta në buxhetin e BE-së për të forcuar tregun e brendshëm dhe për të financuar iniciativat dhe investimet pan-europiane.

Udhëheqësit europianë kanë rënë dakord me idenë e nisjes së një “marrëveshjeje të re europiane të konkurrencës”, një nismë që ata pritet të kërkojnë në konkluzionet e Këshillit Europian.

Nga ana tjetër, 27 vendet Bashkimit Europian janë të ndarë për mundësinë e huamarrjes së përbashkët për të mbuluar nevojat e mbrojtjes së BE-së dhe në përgjithësi për sasinë e financimit të kërkuar për kuadrin e ardhshëm financiar shumëvjeçar.

Disa vende anëtare po bëjnë thirrje për investime masive për t’i mundësuar BE-së të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!