Kryeministri Edi Rama e vlerëson si historik pozicionimin ndërkombëtar që ka marrë Shqipëria. Nga Parisi, ku dha një intervistë për gazetarin Sokol Balla, kryeministri u shpreh se Franca dhe presidenti Emmanuel Macron kanë kuptuar që Shqipëria është një vend me një qëndrueshmëri të madhe në raport me Europën.
Kreu i qeverisë kujtoi se sa me skepticizëm shihej vendi shumë vite më parë ndërsa sot është në një nivel komplet tjetër.
Pjesë nga intervista:
Rama: Franca është një nga dy kollonat mbi të cilat ngrihet BE. Është një vend që lidhjet e saj historike në rajonin tonë i ka patur diku gjetkë, nuk i ka patur me shqiptarët. Dhe Franca është një vend që sot duke parë edhe zhvillimet që pasuan vizitën e Presidentit Macron në Tiranë, që ishte e para në histori e një Presidenti të Francës, ka ndryshuar tërësisht nivelin e vëmendjes dhe të vullnetit për t’u afruar dhe punuar me Shqipërinë. Franca dhe Macron kanë kuptuar që Shqipëria është një vend me një qëndrueshmëri të madhe në raport me Europën. Shqiptarët janë populli dhe kombi më pro europian i Europës, në aspektin e pëlqimit dhe mbështetjes së BE më shumë se sa francezët që nuk janë kaq pro BE sa jemi se ndjehen se janë vetë Europa, që mos bëjmë lathitje në objekt dhe që Shqipëria është një aktor me një peshë të pranuar në fatet e rajonit. Pra, ka qenë një punë e madhe, një përpjekje e të gjithëanshme dhe sot pozicionimi ndërkombëtar i Shqipërisë është si kurrë më parë në historinë tonë. Respekti për Shqipërinë është si asnjëherë më parë në historinë tonë, në të gjitha nivelet ndërkombëtare politike, por jo vetëm dhe sigurisht që unë jam shumë i lumtur me këtë, të them të vërtetën e kam menduar shpesh, edhe jeta si emigrant edhe pse e thash që unë nuk kam qenë një emigrant që kam vuajtur për lejet e qëndrimit, për vendin e qëndrimit, që ka kaluar gjithë ato peripeci që heroikisht një pjesë shumë e madhe e emigrantëve shqitarë e kanë kaluar megjithatë prap duke qenë shqiptar në atë kohë duke patur një pasaportë shqiptare duke kaluar kufirin me atë pasaportë, kam qenë edhe protagonist i skandaleve të mëdha nëpër aeroporte. Kam kultivuar në një farë mënyre një ndjenë hakmarrjeje. Një ndjenjë hakmarrje që më ka ushqyer vazhdimisht edhe qasjen ndaj politikës së jashtme që më ka ushqyer vazhdimisht edhe pasionin edhe këmbënguljen për ta kthyer përmbys këtë perceptim. Pra, hakmarrje në këtë sens.
Balla: Më korrigjo nëse e kam gabim, por perceptimi që kam patur unë është që ju keni patur një sfidë personale për t’i treguar europianëve që ne jemi si ju.
Rama: Ekzakt, e kam marrë shumë personale në një farë mënyre dhe ndoshta edhe për shkak të eksperiencave jo thjesht personale, por edhe të eksperiencave të shumë shqiptarëve që asokohe kisha pozicionin dhe mundësinë ti shikoja nga shumë afër, duke parë se si trajtoheshin dhe keqtrajtoheshin dhe pastaj sigurisht që kjo ka patur edhe një anë tjetër. Sepse e kam ndjerë që të ishe kryeministër i Shqipërisë, në ato fillime ishte pothuajse si të ishe qytetar i Shqipërisë nëpër aeroporte, skepticizëm sigurisht respekt formal, por gjithmonë ishte ajo distanca mosbesimi, dhe nga ana tjetër..
Balla: Le ta quajmë troç, një distancë higjenike që mbanin ndaj nesh…
Rama: Një distancë, një mosbesim, por sigurisht nga ana tjetër është dashur që e gjitha kjo të shoqërohet me cfarë është bërë në Shqipëri. Sepse kjo nuk është një çështje thjesht që më pëlqen si njeri apo më hahet muhabeti. Kjo është një cështje që mbështetet edhe në çfarë informacionesh merr presidenti, kancelari, kancelarja, kryeministri tjetër e tjetër nga shërbimet e veta. Çfarë informacionesh merr nga institucionet e veta, çfarë pozicioni institucional kanë këto vende në raport me progresin apo regresin, në raport me reformat apo me kthimin pas. Dhe sot Shqipëria është komplet në një nivel tjetër. Gjë që padiskutim e shohin edhe shumica e shqiptarëve, unë mendoj që e shohin edhe ata që janë në pakicë, por që për arsyet e tyre nuk duan ta pranojnë./abcnews.al