Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë është në komunikim me ambasadën shqiptare në Izrael, pas sulmeve që Irani ka nisur drejt Izraelit me dronë dhe raketa.
Përmes një njoftimi, ministria deklaroi se shtetasit shqiptarë në Izrael duhet të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në komunikim të pandërprerë me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael.
U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase. Për çdo nevojë të mundshme të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael: +972 54-904-2813 dhe +972 54-480-6601”, shkruan ministria në Facebook.
Irani ka lëshuar dronë, por edhe raketa në Izrael, sipas një deklarate nga Garda Revolucionare. Dega e Forcave të Armatosura iraniane tha se ka shënjestruar vende specifike në Izrael.
Ndërkohë Benjamin Netanyahu ka mbledhur kabinetin e luftës. Kryeministri izraelit ka mbledhur zyrtarët në selinë ushtarake në Tel Aviv.
Vetë zëdhënësi i ushtrisë izraelite në një deklaratë për shtyp konfirmoi se dhjetëra dronë janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit.
Daniel Hagari thotë se Forcat Ajrore izraelite po gjurmojnë dronët./abcnews.al