Banka Qendrore Evropiane për të pestën herë me radhë nuk ka ndryshuar normat e interesit, pavarësisht rënies së inflacionit.
Banka, me seli në Frankfurt, gjatë mbledhjes më 11 prill për politikat monetare, ruajti normën bazë të rifinancimit, që ofrojn likuiditet për sistemin bankar, në 4.5 për qind. Edhe norma e depozitave mbeti i pandryshuar në 4 për qind.
Ekonomistët gjerësisht presin që të ketë ulje të normave të interesit në qershor.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, shtoi shpresat për këtë gjë, duke thënë se ulja e normave të interesit mund të ndodhë së shpejti, nëse vazhdon trendi i rënies së inflacionit.
“Do të ishte e përshtatshme të reduktohej niveli aktual i politikave kufizuese monetare” nëse inflacioni afrohet drejt cakut prej 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane, tha ajo gjatë një konference për media.
Në qershor, ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane pritet të prezantojnë parashikimet e reja ekonomike dhe të inflacionit.
Në mënyrë që të luftohet inflacioni, i cili arriti në nivele rekorde pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Banka Qendrore Evropiane rriti dhjetë herë resht normat e interesit që nga korriku i vitit 2022.
Kjo bën që kreditë të jenë më të shtrenjta, të ulet kërkesa dhe kështu të luftohet niveli i lartë i inflacionit. Por, në të njëjtën kohë rritja e normave të interesit krijon një barrë më të rëndë për ekonominë dhe individët që duan të marrin hua.
Së fundi, inflacioni në Eurozonë ka rënë dhe pritet që të vazhdojë të bjerë.
Çmimet e konsumit u rritën për 2.4 për qind në mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në vlerësimet paraprake. Inflacioni është 2.6 për qind në shkurt, ndërkaq në janar ishte 2.8 për qind. Në mars të vitit 2023, inflacioni ishte 6.9 për qind. /REL