Reforma e BE-së për emigracionin dhe azilin, të mërkurën pritet të votohet pakti

schedule09:48 - 10 Prill, 2024

schedule 09:48 - 10 Prill, 2024

Bashkimi Europian ka planifikuar të mërkurën një votim për reformën historike të azilit dhe emigracionit e cila ka në thelb ashpërsimin e këtyre politikave dhe ndarjen e përgjegjësisë nga të gjitha shtetet pavarësisht se ku zbarkojnë refugjatët.

I njohur ndryshe si Pakti i Emigracionit me në fokus frenimin e emigrantëve të paligjshëm në Europë është kritikuar ashpër nga e djathta, e majta ekstreme dhe nga socialistët.

Pavarësisht vendosmërisë së shumicës së ligjvënësve europianë për miratimin e reformës  edhe një sërë organizatash jo qeveritare dhe organizatash bamirësie e kane kundërshtuar paktin. Sipas këtyre të fundit ekziston mundësia që këto politika të sjellin si rezultat ndalimin e kësaj forme të emigrimit.

Megjithatë reforma ruan rregullin bazë sipas të cilit vendi i parë i bllokut në të cilin arrin një azilkërkues është përgjegjës për rastin, por në këtë moment shtohet mekanizmi i solidaritetit që kërkon që shtetet e vijës së parë të ndihmohen nga vendet e tjera të bllokut.

Solidarizimi mund te konsistojë ose në marrjen e një numri emigrantësh ose në ofrimin e një kontributi financiar.

Ndërkohë një tjetër pikë tejet e diskutueshme është edhe lejimi i Bashkimit Europian për dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta të sigurta siç është marrëveshja e qeverise italiane me atë shqiptare ose e Britanisë së Madhe me Ruandën.

Megjithatë votimi në Parlamentin Europian i kësaj reforme nuk do të jetë hapi i fundit i paktit pasi ende mbetet i paqartë se si do te realizohet praktikisht përfshirë organizimin e qendrave kufitare dhe furnizimin e tyre me burime te mjaftueshme si përkthyes, oficerë policie etj.

/abcnews.al