“Galaktika e Re” e Real Madrid, Endrick dhe Mbappe plotësojnë projektin e “Los Blancos”

schedule17:36 - 3 Prill, 2024

schedule 17:36 - 3 Prill, 2024

Ju kujtohet kur Real Madrid cilësohej si “galaktik”? Në atë kohë me “Los Blancos” luanin Ronaldo, Zidane, Raul, Beckham apo Figo, sa për të përmendur disa prej yjeve të asaj skuadre. Kohë “të arta”, por që i përkasin historisë. Në klubin madrilen shohin nga e ardhmja, ndërsa prej kohësh ka nisur një projekt që e përditëshmja “AS” e ka pagëzuar si “Galaktika e Re”.

Baza është krijuar. Vinicius Junior, Rodrygo dhe Valverde, pavarësisht moshës së re, janë kthyer në shtylla të Real Madrid, teksa në sezonin e fundit u hodhën edhe tre kolona të rëndësishme.

I pari Jude Bellingham, që kishte një impakt mbresëlënës në formacionin e Carlo Ancelotti. Ashtu si Brahim Diaz i kthyer nga huazimi, ndërsa Arda Guler pas dëmtimit të gjatë po gjen hapësira në ekipin madrilen. Ky projekt, që premton shumë vite suksesi në të ardhmen do të plotësohet në fund të këtij sezoni.

I pari që do të bashkohet me Real Madrid është braziliani Endrick. Klubi ka paguar paraprakisht kartonin e 17-vjeçarit, që në dy ndeshjet e para me Kombëtaren e Brazilit tregoi të gjithë talentin e tij, por “maja e diamantit” është Kylian Mbappe, me sulmuesin francez që pritet të transferohet këtë verë në “Santiago Bernabeu”, duke finalizuar kështu misionin e koduar “Galaktika e Re”. /i.m /abcnews.al