Sokol Mjacaj, i dënuari me burgim të përjetshëm, do të vijojë të qëndrojë në regjimin 41 Biss, pasi këtë të hënë Gjykata e Posaçme rrëzoi ankimimin e tij për të dalë nga izolimi i posaçëm.
Kërkesa e Mjacajt, të dënuarit përjetë që ekzekutoi brenda burgut të Peqinit Arben Lleshi, nuk u pranua nga gjyqtari Erjon Bani.
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ministri i drejtësisë Ulsi Manja bëri publik vendimin për izolimin e Sokol Mjacajt në sistemin 41 Biss, pasi kishte të dhëna se komunikonte nga jashtë dhe vazhdonte aktivitetin kriminal nga qelia.
Por pasi mësoi këtë lajm, Sokol Mjacaj hyri në veprim në burgun e Peqinit, duke marrë armën dhe duke vrarë Arben Lleshin e duke plagosur shokun e qelisë Indrit Shaqen.
Mjacaj, i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe, dorëzoi armën dhe u arrestua një orë pas ngjarjes, në prani të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Vrasja dyshohet se u krye me pagesë dhe shkaktoi arrestimin e drejtorit të burgut, shefit të policisë dhe 10 punonjësve, të cilët tashmë janë liruar nga qelia me vendim të Apelit të Posaçëm.
Gjykata e Elbasanit i komunikoi Mjacajt një masë të re arresti, kurse Prokuroria e Elbasanit ngriti akuzë për të dënuarin e dytë Indrit Shaqja, me dyshimet se është përfshirë në vrasjen e Arben Lleshit pas Sokol Mjacajt.
Deri më tani, janë 15 njerëz të botës së krimit që e kanë provuar regjimin 41 bis në qeli izolimi të ngritura në burgun e sigurisë së lartë në Peqin dhe tek 313-ta në Tiranë.