Java nis me mot të paqëndrueshëm, si pritet të jenë temperaturat

schedule07:11 - 25 Mars, 2024

schedule 07:11 - 25 Mars, 2024

Si pasojë e masave ajrore të paqëndrueshme Shqipëria paraqitet nën mbizotërimin e motit të vranët, ku herë pas here do të gjenerojnë shira të dobët e mesatarë.

Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri pas mesditës kur pritet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike duke risjellë kthjellime dhe vranësira të shpeshta. Edhe gjatë natës, vendi ynë do të mbetet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta por pa reshje.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 1°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 18°C vlera më e lartë për-gjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë e mesatarisht me shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor duke krijuar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 4 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë parashikohet të jenë nën dominimin e vranësirave dhe shirave të dobët e lokalë por gjatë mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të largohen duke ia lënë vendin kthjellimeve në pjesën më të madhe të Kosovës por do të vijojnë me vranësira dhe shira zonat Veriore dhe Verilindore të Kosovës. Të njëjta kushte atmosferike do të na shoqërojë në të gjithë territorin e Kosovës edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të ulen si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C vlera më e ulët dhe maksimumet do të ngjiten deri në 12°C në zonat Jugperëndimore të Kosovës. Era do të fryjë e lehtë por herë pas here forcohet duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 60 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor.

Maqedonia e Veriut

Orët e paradites në Republikën e MV paraqitet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që i gjithë vendi të jetë me vranësira dhe shira të dobët por pas mesditës dhe kryesisht pasditja do të sjellë përmirësim të përkohshëm të kushteve atmosferike në të gjithë territorin e MV duke bërë që të dominojnë kthjellimet dhe vranësirat por mundësia për reshje është thuajse zero. Temperaturave të ajrit do të pësojnë rënie gjatë mëngjesit por rriten në orët e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 0°C vlera minimale deri në 14°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare gjatë paradites por deri e fortë pasdite; duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi verilindor.

Europa

Masat ajrore të qëndrueshme më origjinë perëndimore dhe veriperëndimore do të sjellin mbizotërim të motit të kthjellët dhe temperaturat të larta vetëm në brigjet e deti Egje si edhe brigjet e detit të zi ndërsa nën prezencën e reshjeve të dendura të shiut dhe stuhive të forta të erës do të paraqiten ishujt britanikë, gadishulli Iberik, Europa qendrore dhe pjesërisht gadishulli i Ballkanit. Ndërsa me dëbore të dendur dhe ngrica të theksuara mbetet Europa Lindore Veriore dhe rajoni i Balltikut.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!