Kontrollet intensive të policisë në banesat e familjarëve, të afërmve, vendet ku mund të fshiheshin 4 autorët e plagosjes së 30 -vjeçarit Ramadan Hasani në ambientet e një lavazhi në Korçë, bëri që të dorëzohen në komisariat paraditen e së dielës katër autorët.
Bëhet fjalë për shtetasit Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erion Gura. Arratia e 4 autorëve zgjati 3 ditë, dhe në pamundësi për të qëndruar akoma të fshehur, ata janë vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Korçës.
30-vjeçari i cili ra pre e sulmit të autorëve, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera, për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2024, në lagjen nr. 16, Korçë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 4 autorëve të dyshuar të saj, pas kontrolleve të shumta dhe falë negociatave të kryera nga forcat e Policisë me familjarët e tyre, këta shtetas u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një lavazh, për motive të dobëta dyshohet se tentuan të vrisnin me mjete të forta shtetasin Ramadan Hasani, 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet për mjekim në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.