SARANDË- Historia e David Rachel është ajo e shumë të huajve të cilët shkelin në Shqipëri si turistë e mandej vendosin të qëndrojnë më gjatë për të jetuar dhe investuar. Në Shqipëri erdhi tetorin e vitit të shkuar ku për herë të parë vizitoi Sarandën.
“Herën e parë kam ardhur si turist. Shkova ne Greqi në Korfuz dhe atje dëgjova për Sarandën, sesa bukur ishte këtu, dhe vendosa të vij, e shijova pa masë, shkova në disa vende te Shqipërisë, shkova në Vlorë, Tiranë, Durrës dhe ne Përmet. Mbeta i mahnitur nga ky vend, shumë më i bukur nga sa e prisja. Kur dëgjoj për Shqipërinë , të vijnë ndërmend malet e mrekullueshme, uji shumë i pastër dhe vendosa të vij këtu të jetoj dhe investoj në prona”, u shpreh amerikani.
35-vjeçari është i vendosur të jetojë gjatë në Shqipëri. Ka prerë biletë vetëm për të ardhur pasi kthimin në Amerikë nuk e ka ndërmend.
“Pasi u largova i mrekulluar si turist, vendosa të kthehem sërish tani në pranverë dhe të investoj në prona këtu, po kërkoj për apartamente, kam prere një biletë vetëm ardhje sepse nuk e di sesa do të qëndroj. Kam blerë një apartament, me të cilin po merrem me dokumentet e tij, dhe po vazhdoj të kërkoj për mundësi të tjera blerjeje. Apartamentin që bleva do ta mobiloj dhe do ta bej me modern dhe kur ta mbaroj do ta jap për turistë që do të vijnë këtu dhe sigurisht që do te jem edhe vet këtu edhe përgjatë pushimeve në vitet në vazhdim”, shtoi ai.
David dëshiron të investojë në tregun imobiliar por është i shqetësuar për rritjen e çmimeve. Thotë se edhe në Amerikë ku ka jetuar deri para pak muajsh pronat po ashtu janë shtrenjtuar.
“Çmimet ishin shumë të lira, por që nga tetori janë rritur në një mënyrë të pabesueshme, nuk e prisja te rriteshin kaq shumë menjëherë, si në Amerikë që në vitet e fundit janë rritur 30 deri ne 50 %. Kur po shikoja në Greqi për shtëpi, ishin akoma me shtrenjtë dhe jetesa shumë e shtrenjtë, kështu që pasi erdha në Shqipëri më pëlqeu këtu dhe vendosa të qëndroj. Por edhe këtu prej tetorit ka një rritje ne çmime, prsh apartamenti që bleva në tetor shitej 80, 000 euro ndërsa tani 100 000 euro.
Megjithatë nuk është penduar për vendimin që ka ndërmarrë për të investuar në Shqipëri.
“Miqtë e mi po investojnë, në Florida ose në Karolinën e Jugut. Për ata Shqipëria është shumë larg, ndërsa për mua ja vlen. Më pëlqen shumë Shqipëria për turizëm sepse ka një klime shumë të mirë është gjithmonë ngrohtë. Vendet mesdhetare përgjithësisht kanë klime të favorshme por Shqipëria i konkurron me çmime, ndërsa në shtetet e tjera çdo gjë është shumë shtrenjtë. Mendoj që është i vetmi dhe i fundit vend që ofron mundësi për t’u rritur në fushën e turizmit”, tha ai.
Si David Rachel janë të shumtë të huajt të cilët kanë lënë vendet e tyre dhe po investojnë në Shqipëri. Qytetet bregdetare janë më të lakmuar nga të huajt për të ngritur sipërmarrjet e tyre.
Në Shqipëri përveç klimës së mirë, çmimeve të lira kanë gjetur edhe mikpritjen e ngrohtë të njerëzve./ abcnews.al