Greqia nuk do të ketë më mundësinë e vendosjes së vetos ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian për çështjen ‘Beleri’. Komisioni Europian ka miratuar planin e reformave para zgjerimit të bllokut, duke mos i lejuar më vendet anëtare të bëhen pengesë për anëtarësimet e reja.
Me propozimin e Ursula von der Leyen, vendeve anëtare u hiqet unanimiteti në votimin për pranimin e shteteve të reja duke i zëvendësuar ato me votimin me shumicë të cilësuar. E ftuar në “Special Report”, pedagogia Klodiana Beshku thotë se me këtë lëvizje, procesi i zgjerimit të unionit bëhet më i lehtë.
“Të gjitha këto reformime shkojnë kundër linjës së Macron se kur bënte këto propozime në 2019 ideja e tij ishte të frenonte zgjerimin dhe ua bëri më të vështirë vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare në BE. Nëpërmjet vetos në Këshillin Evropian, nuk u çelën negociatat. Që atëherë flitej se disa nga këto çështje që janë më teknike, si çelja e negociatave ose votimi për kapitujt apo firma e akordeve për asocimin në BE të kthehej në një çështje më teknike dhe me maxhorancë më të cilësuar siç edhe po flitet. Kjo do të thotë se t’i jepet më shumë hov zgjerimit, zgjerimi bëhet më i lehtë për t’u arritur dhe shkon në linjë me atë që von der Leyen deklaroi në vitin 2019, që ky komision do të jetë gjeopolitik dhe kështu ndodhi. Sigurisht është ndihmuar kjo gjë edhe nga ajo në Ukrainë, që i përshpejtoi këto nisma. Vetë BE ka nevojë më shumë se kurrë tani për gjeopolitikën. Në këtë kuadër duhen parë të gjitha këto zhvillime, është çliruar pak procedura e zgjerimit nga nacionalizimi i tepërt që kishte mbytur Këshillin Evropian për të marrë vendime vitet e fundit dhe shkon në linjë me faktin që BE tani më shumë se kurrë ka nevojë që të jetë aktort gjeopolitik global. Po të shikojmë të gjitha fuqitë e mëdha, SHBA, Rusia apoo edhe BE, po e ridimensionojnë apo hedhin këndvështrimin e tyre drejt sferave përkatëse të influencës.“, u shpreh pedagogia.
Ajo thotë se Athina mund të përdorë një mekanizëm tjetër, atë të lobimit kundër vendit tonë.
“Në këto momente është kështu, por situatat mund të ndryshojnë gjatë viteve dhe nuk mund të flemë në dafina sepse duhet të kemi parasysh se maxhoranca e cilësuar do të thotë se nëse një vend nuk ka të drejtë të ushtrojë veton, asgjë nuk e pengon atë që të bëjë aleanca me shtetet e tjera për të mos e votuar një vendim. Mund të lobojë dhe kjo nuk e heq përgjegjësinë e shteteve që duan të anëtarësohen në BE që të jenë në rregull me reformat dhe kushtet e tjera që të paktën të mos kenë pengesa në procedurat e anëtarësimit. Por sigurisht bëhet më e vështirë për t’i penguar ato për teknikalitetet që e e mbanin peng Këshillin Evropian.”, shtoi Beshku.
Sipas saj, qëndrimi i Greqisë në lidhje me çështjen e Belerit bie në kundërshtim me shtetin e së drejtës, një ndër kushtet kryesore për anëtarësim në union.
“Një nga kushtet për të avancuar drejt anëtarësimit është shteti i së drejtës dhe kjo e ka bazën te konsiderata e të gjithë qytetarëve të barabartë para ligjit. Pavarësisht se cilin minoritet përfaqëson Beleri, apo cilës forcë politike i përket, ai është hetuar si një qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe ka marrë dënimin përkatës. Beleri është zënë në akte flagrante dhe në këtë drejtim vetë Greqia, duke bërë presione të tilla, bie në kundërshtim me themelin e shtetit të së drejtës dhe që është kushti kryesor për të qenë anëtar i BE. Edhe në BE kemi regres sa i përket demokratizimit dhe mesa duket edhe Greqia në këtë kuadër nuk mbetet pas. BE nuk është në momentin më të mirë të tijin, ku është përcuers i vlerave të demokracisë kjo për shkak të ares gjeopolitike. Tani janë prioritare zgjidhja e konflikteve.“, tha ajo./abcnews.al