Pas gati gjashtë muajsh kaos dhe bllokimesh të punimeve është mbajtur këtë enjte seanca plenare në Kuvend. E pranishme në këtë seancë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku foli për projektet që sipas saj janë të rëndësishme për vendin, jo vetëm për nga ekonomia, por edhe turizmi.
E ndalur tek Porto Romano dhe Porti i Durrësit, Balluku shtoi se nuk do të ketë asnjë mbyllje të këtyre porteve dhe se të ardhurat nga këto dy projekte arrijnë mbi 280 milionë euro.
Duke iu përgjigjur kritikëve, Balluku sqaroi se për këto projekte është bërë prezantimi në selinë qendrore të NATO-s duke u vlerësuar si një zonë shumë e rëndësishme. Porti i Durrësit shtoi ajo do të vazhdojë të jetë i shqiptarëve, ndryshe nga çfarë ka deklaruar opozita e cila sipas saj po e përdor këtë projekt, për ta kthyer në një ‘kalë beteje’.
“Ju e keni dizenjuar zonën e Porto Romans si një zonë detare. Por ju do të pyesni se përse këto po bëhen me paratë e buxhetit ttë shtetit, por ajo zonë do të jetë edhe militare. Ne e kemi thënë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s dhe është prezantuar si zonë e rëndësishme. Në paketën 390 milionë euro që do të investohen në këtë port, 175 milionë janë të dedikuara për punime në infrastrukturë detare parësore dhe do t’i shërbejnë edhe portit militar që do të ngrihet në zonë. Nga ana tjetër ndjehemi të shqetësuar që opozita përdor këtë projekt për ta kthyer në një kalë beteje, pasi këtu preket interesi i të gjithë shqiptarëve”, tha ajo.
Zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano;
Balluku: Ky është projekti më transparent i bërë deri më tani. Dhe nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe hapjen e një porti tjetër, por për të dy portet, një turistik dhe një militar.
/abcnews.al/