Në një deklaratë ditën e sotme, Rusia tha se propozimi i shefit të politikës së jashtme të BE-së Joseph Borrell për të përdorur 90% të të ardhurave nga asetet ruse për të blerë armë për Ukrainën ishte vjedhje.
Sipas planit të Borrell, të ardhurat nga asetet ruse, si interesat, do të transferoheshin në Fondin Europian të Paqes, një fond jashtë buxhetit të BE-së që ofron ndihmë ushtarake për vendet jashtë BE-së dhe është përdorur kryesisht për Ukrainën.
Kremlini tha se plane të tilla, nëse zbatohen, do të dëmtonin reputacionin e Europës si mbrojtëse e besueshme e të drejtave të pronës dhe do të çonin një sërë veprimesh ligjore që do të zgjasnin me vite.
“Europianët janë të vetëdijshëm për dëmin që vendime të tilla mund t’i bëjnë ekonomisë së tyre, imazhit dhe reputacionit të tyre si garantues të besueshëm, si të thuash, të paprekshmërisë së pronës,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Dëmi do të jetë i pashmangshëm. Personat e përfshirë në marrjen e vendimeve të tilla, shtetet që vendosin për këtë, sigurisht që do të bëhen objektiva të persekutimit për dekada”.
Zakharova theksoi se Rusia do të përgjigjet nëse Perëndimi vazhdon të konfiskojë asetet ruse.
/abcnews.al