Sopranoja e njohur, Ulpiana Aliaj ka rrëfyer jetën e saj me muzikën, duke e konsideruar një rrugëtim të bukur dhe të vështirë. Ajo ka treguar në emisionin “Pas Mesnate” se ka ndjekur gjurmët e nënës së saj, sopranos Zina Zdrava, duke theksuar se në fillim e kanë paragjykuar.
Madje, Ulpiana ka thënë se ka pasur raste se gjatë orës së mësimit, kur nësa e saj shpjegonte, ka dalë dhe nga klasa pasi nuk ka qenë e përgatitur.
“Jeta me muzikën ka shumë ngjyra, është shumë e brishtë, është dhe shumë e ashpër ndonjëherë, por në raport me të gjitha është një sadisfaksion shumë i madh.
Unë kam filluar të qasem me muzikë, që fëmijë, sigurisht me Festivalet e Shkodrës. Por në aspektin profesional unë kam nisur pianon dhe më pas kam nisur kanton. Kjo ndodhi sepse është më e udhës që një këngëtar të ketë një formim artistik, gjithashtu dhe mamaja ime e familja nuk kanë dashur asnjëherë që unë të jem e paplotësuar në këndvështrimin muzikor. Kështu që kam nisur pianon fillimisht, më pas kanton me mamin.
Ka qene një moment ku mamaja ime eshtë ndjerë e gjykuar nga kolegët dhe nga artdashësit, sepse të marrit në dorë të jetës profesionale të fëmijës tënd mund të ketë ato themelet, ato dyshimet e veta për shkak të marrëdhënies dhe lidhjes së gjakut. Por unë do të thosha që në fakt, kjo ka qene një gjë që na ka shkuar shumë mbarë sepse kemi ditur të mbajmë raportet. Këtu kemi pasur dhe eksperienca ku unë kam dal nga klasa sepse unë nuk kisha studiuar mjaftueshëm, dhe doja të justifikoja faktin që kisha studiuar dhe mami më thoshte se ku e bëre ti studimin se unë të kam në shtëpi dhe e kam parë që ti nuk ke studiuar për sot. Në anën tjetër, kanto është një profesion kaq intim dhe i brendshëm, unë mendoj që jam me fat në këtë pjesë se kush do të ishte ai pedagog që do ta kuptonte gjendjen time shpirtërore, organizmin tim, më mirë se sa nëna. Edhe në fakt eksperienca botërore ka treguar se dhe këngëtarë të tjerë lirik në rrugën time të ngjashme kanë bërë një karrierë shumë të mirë, si për shembull Inva Mula”, rrëfeu Aliaj./abcnews.al