Bastisja e spitalit Al Shifa, forcat izraelite vrasin 50 të armatosur, 180 të arrestuar

schedule14:42 - 19 Mars, 2024

schedule 14:42 - 19 Mars, 2024

Forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 50 militantë palestinezë dhe kanë arrestuar 180 të dyshuar në një bastisje të re në spitalin Al Shifa në Rripin e Gazës, tha ushtria të martën.

Bastisja në spitalin më të madh të Gazës filloi para agimit të së hënës, me ushtrinë që akuzoi Hamasin se ende e përdor atë për të fshehur anëtarët e armatosur dhe për të planifikuar sulme.

Të paktën një ushtar izraelit u vra nga zjarri palestinez brenda spitalit.

Nuk është hera e parë që forcat e ushtrisë izraelite bastisin spitalin më të madh në enklavën palestineze, i cili ishte shënjestruar që në fazën e parë të luftës, në fillim të pushtimit tokësor në veri të Gazës.

Sulmet ajrore në Rafah

Ndërkohë, sipas raporteve nga zyrtarët palestinezë, Izraeli vrau të martën 14 persona në sulmet ajrore në Rafah, një qytet që ndodhet në skajin jugor të Rripit të Gazës, në kufi me Egjiptin.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar qeverisë izraelite të rishqyrtojë një sulm tokësor të planifikuar në qytet, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim.

Izraeli u përgjigj duke pretenduar se një e gjashta e forcës luftarake të Hamasit, katër batalione luftëtarësh me pushkë dhe raketa është në Rafah dhe duhet të shtypet para përfundimit të luftës.

“Qëndrimi ynë është se një operacion i madh tokësor do të ishte një gabim,” tha dje Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, duke iu referuar Rafah, pas një bisede telefonike midis Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu.

“Qëllimet kryesore që Izraeli po ndjek në Rafah mund të arrihen me mjete të tjera,” shpjegoi Sullivan.

Deri më tani 31,819 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!