Tjetër tension në veri? Qeveria Kurti heq tabelat e vendeve, të shkruara në cirilik

schedule19:14 - 18 Mars, 2024

schedule 19:14 - 18 Mars, 2024

Qeveria Kurti vazhdon me strategjinë e faktit të kryer, duke nisur tashmë edhe krizën e nëntë që nga koha kur erdhi në pushtet dhe duke e kthyer dialogun me Serbinë nga dialog për normalizim të plotë të marrëdhënieve, në menaxhim krizash, për të cilat Kosova është nën sanksione.

Kriza e nëntë ka të bëjë me tabelat zyrtare të rrugëve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, të cilat janë ndërruar, duke u zëvendësuar me tabela në gjuhën shqipe.

Më parë, tabelat ishin në serbisht, të shkruara në latinisht dhe në alfabetin cirilik. Ministri i infrastrukturës Liburn Aliu tha se ministria e tij kishte marrë përsipër që të largonin në veri dhe në tërë territorin e Kosovës, “të gjitha shenjat e komunikacionit të shtetit të Serbisë”. “Do të vazhdojmë edhe ditëve në vijim deri në zëvendësimin e të gjitha shenjave,” deklaroi Liburn Aliu.

Por Bashkimi Evropian reagoi duke iu bërë apel autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me komisionerin për gjuhët, duke interpretuar në mënyrë positive ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Mbi iniciativën e fundit për zëvendësimin e tabelave zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në veri të Kosovës, u bëj thirrje autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, tha ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Komisioneri për Gjuhët, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisa Mladenoviç, reagoi duke thënë se zëvendësimi i shenjave duhet të bëhet në frymën e multi-etnicitetit dhe përbërjes së popullsisë në very të Kosovës. Mladenovic deklaroi se numri i popullsisë në zonën ku vendosen tabelat, përcakton se cila gjuhë shkruhet e para dhe se në veri në fillim duhet të shkruhen në gjuhën serbe dhe më pas në shqip. Ai tha gjithashtu se mënyra sesi janë vendosur në veri të vendit përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës. “

Ky veprim shkel Nenin 59 të Kushtetutës, pikën 9”, deklaroi Mladenoviç.

Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thotë se duhet të ketë një sistem më transparent dhe më bashkëpunues me komunitetin për vendime të tilla.

“Mendoj që është mirë që kjo çështje të diskutohet me komunitetin dhe çështja e renditjes të vendoset lart në vendet ku ka me shumicë komunitetin serb dhe poshtë shqip, por këto janë të rregulluara dhe me udhëzime administrative që duhen respektuar. Mendoj që ndoshta vetë reagimi nuk është si dukuri, është rast i veçuar. Vete ku diskutim ne zbatimin e disa vendimeve duhet të jenë në një sistem me transparent, më bashkëpunues me komunitetin që jeton atje, me qëllim që të tejkalohet më lehtë”, u shpreh eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi./abcnews.al