Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai tha se procesi i dialogut në Bruksel, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, është mekanizmi i vetëm që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.
Gjatë një konference për media në Vjenë, së bashku me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg, kryediplomati amerikan tha se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk iu duhet kthim prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian.
“Ne po ashtu po punojmë së bashku me Austrinë për të përmirësuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, tha Blinken.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e Brukselit dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.