PS-së i bashkohen 440 anëtarë të rinj në Vorë, Veliaj: Bashkëpunimi me njerëzit, formula jonë e fitores

schedule19:21 - 13 Mars, 2024

schedule 19:21 - 13 Mars, 2024

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u uroi mirëseardhjen 440 anëtarëve të rinj të PS-së në Vorë. Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se ndihet krenar që Partisë Socialiste po i bashkohen njerëz të talentuar dhe që shohin vetëm përpara.

“Nuk e mendonte kush që, në një zonë ku ne kemi qenë në opozitë prej shumë vitesh, do vinim tek një ditë ku Partia Socialiste do fitonte me mbi 73-74% dhe do kishim sot një hapje kaq të madhe për djem, për vajza, për burra, gra, për njerëz që i bashkohen kësaj force me një energji të jashtëzakonshme. Ma keni bërë zemrën mal sot! Gjërat janë absolutisht më mirë se ç’kanë qenë. Unë nuk e mbaj mend kurrë Tiranën kaq mirë, Vorën, Kamzën, kaq mirë. Por, edhe kur gjërat shkojnë relativisht mirë, ka gjithmonë një familje që mund të ketë një nevojë, është gjithmonë dikush që e ka një hall. Ndaj, dua që në këtë organizim politik të mos harrojmë atë organizimin njerëzor. Mbi të gjitha ne jemi familje, pastaj jemi edhe parti, dhe si familje politike kemi edhe fitoret tona. Kur dëgjoj njerëzit që bëjnë dallimet mes forcave të ndryshme, sigurisht mund të ketë bindje, mund të ketë ide, sistem ndryshe taksimi, por një gjë që njerëzit e thonë gjithmonë për partinë tonë, për familjen tonë është: Ata kanë njerëzillëkun. Ky njerëzillëk, ky bashkëpunim me njerëzit, është formula jonë e fitores dhe do vazhdojë të jetë mirësia që do na afrojë njerëz të tjerë e do na çojë përpara në fitore të tjera”, tha Veliaj.

Teksa kujtoi 21 janarin, ai komentoi vendimin që SPAK të hetojë vrasjet e ndodhura më 21 janar.

“Sot është pak më e lehtë të bashkohesh me një familje të madhe. Sot kush po na sheh nga televizori, po plas na marazi pse nuk e dinte dhe nuk është këtu. Sot ata të opozitës, ata pak që kanë ngelur këtu në Vorë, do thoshin – “Aman more, si s’jam aty. Shiko çfarë familje është kjo. Këta janë të gjithë buzagaz, e të gjithë me përqafime, e të gjithë me entuziazëm e duke brohoritur njëri – tjetrin. Te familja jonë zihen kë do përzënë nga shtëpia, këta i fusin të gjithë në shtëpi. Sot është më e lehtë edhe të jesh demokrat dhe të thuash që do bëhesh socialist, se nuk të paragjykon njeri, se është një vend i lirë ku ti ke bindjet e tua dhe do të shkosh me skuadrën që bën më shumë punë, me skuadrën që të dëgjon më shumë, me skuadrën që të pranon më shumë. Por kanë qenë disa vite, që s’ka qenë e lehtë të ishe socialist. Edhe vendimi që u mor këtë javë, që SPAK-u do hetojë vrasjet e 21 janarit, na kujton një kohë ku të ishe socialist vriteshe me plumba në mish. Sot jetojmë në një situatë komplet ndryshe, sot ti mund të jesh protestues, të protestosh sa të duash. Sot ka ardhur një kohë ku toleranca e PS-së është e tillë saqë nuk është parë ndonjëherë, edhe për ata që mendojnë ndryshe nga ne, edhe për ata që duna të shkatërrojnë Tiranën në protestë, sepse unë besoj që kur qeverisin socialistët, është më mirë për të gjithë, edhe për kundërshtarët tanë”, tha Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!