Sërish gola “kuqezinj” në Turqi, shkëlqejnë sërish Cikalleshi e Manaj

schedule17:16 - 9 Mars, 2024

schedule 17:16 - 9 Mars, 2024

E kemi bërë si pronën tonë. Futbollistët shqiptarë nuk po pushojnë me golat dhe me paraqitjet shumë të mira këtë sezon në Turkiye Superlig, dhe kjo fundjavë nuk bëri përjashtim, teksa Sokol Cikalleshi dhe Rej Manaj ishin edhe një herë heronjtë kuqezinj, ndërsa duhet pritur e hëna për të parë në fushë edhe Ernest Muçin.

Sulmuesi kavajas shënoi dy herë për Konyaspor, në një përballje tepër të fortë në shtëpi ndaj Adana Demirspor. Të dyja rrjetat e Cikalleshit ishin me penallti, por gjithsesi mbeten realizime, dhe sidomos njëri prej tyre ishte i veçantë, me “veteranin”, që guxoi për një goditje me stilin e famshëm “Panenka”, duke u ngjitur kështu në kuotën e 11 golave në kampionat.

Nuk mbeti pas Rej Manaj, me “yllin”, që 27-vjeçar u tregua edhe një herë tepër i fortë nga goditja e dënimit, që po bëhet specialiteti i tij. Goditja ishte e një shpejtësie absolute, e portieri s’pati shans. Pavarësisht se ekipi i tij, Sivasspor, u mund në stadiumin e tij, për Manajn sezoni është i madh. Ai ka 15 gola këtë kampionat, baraz me “bomberin”, Mauro Icardi, dhe 4 rrjeta pas boshnjakut, Edin Dzeko. /i.m /abcnews.al