Thirrjes për reflektim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj ministrja e për parlamentin Elisa Spiropali. Zëdhënësja e qeverisë i kujtoi Bashës se do t’i duhet të pres fundin e mandatit të qeverisë për t’u rikthyer në parlament, ndërkohë që kujtoi se PS nuk ka kohë për të humbur me demokratët dhe do ta miratojë e vetme reformën zgjedhore. Numri dy i demokratëve Gazment Bardhi i kujtoi zëdhënëses së qeverisë se kushtet e Bundestagut nuk janë si trau i doganave që ajo ngrinte dhe ulte kur ishte në krye të këtij institucioni.
Edi Rama dhe bashkëkryetari i PS për Reformën Zgjedhore kanë deklaruar se do të presin çdo propozim nga Partia Demokratike për Reformën Zgjedhore. Por ndryshe e mendon këtë çështje, Ministrja për Shtetit dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Për zëdhënësen e qeverisë kërkesat e Bashës për zgjedhje të parakohshme janë imagjinare, ndërkohë që socialistët sipas saj nuk kanë kohë të humbin.
“Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare duhet të presin zgjedhjet e radhës për t’u rikthyer në Parlament, prej ku u larguan vullnetarisht me daullet e fitores imagjinare! Ne po përgatitemi për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Nga ana tjetër, sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do të votojmë Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, thotë ajo.
Dhe përgjigja e demokratëve nuk vonoi. Gazment Bardhi i kujtoi Spiropalit kohën kur ishte në krye të doganave dhe i dha një sugjerim edhe për Edi Ramën.
“Elisa Spiropali duhet t’i mësojë Edi Ramës se Reforma Zgjedhore sipas kushteve të Bundestagut, nuk ngjan me traun e doganës, që e ul e ngre vetë, sipas dëshirës. Reforma e vërtetë zgjedhore nuk kalon dot kontrabandë për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe Perëndimit që, bashkë me opozitën, duan të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Edi Rama ka frikë nga reforma zgjedhore sipas kushteve të Bundestagut dhe Bashkimit Europian. Vota e lirë i jep fund pushtetit të tij të vjedhur dhe të blerë nga krimi dhe korrupsioni”, thotë Bardhi.
Mazhoranca dhe opozita po punojnë të ndara për propozimet e tyre për reformën zgjedhore, ndërkohë që OSBE pritet t’i bashkojë qëndrimet e palëve në një tryezë të ngjashme me atë që zhvilloi në muajin Shtator./ABC News Albania

