Një javë stërvitje jashtë grupit dhe dy ndeshje në tribunë. Rey Manaj u dënua tek Albacete menjëherë sapo trajneri Edy Reja kishte deklaruar se ai ishte ndryshe nga se i kishin thënë.
“Manaj po kthehet, më kishin thënë që ishte pak gjaknxehtë, por përkundrazi, po vë re një impenjim të madh dhe jam mahnitur. I kërkoj të sakrifikojë në fushë dhe e bën diçka të tillë, ndaj jam i lumtur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të maturohet, pasi është 22 vjeç”, deklaronte italiani pas fitores me Moldavinë për Radio Sportiva.
Nuk vonoi shumë dhe Manaj u rikthye në origjinë. Ironike kur lexon atë që Reja kishte deklaruar. Ai gol me finte që i kishte shënuar Moldavisë i kishte dhënë zemër lushnjarit, sikurse raportojnë mediat në Spanjë. Lënia në stol në sfidën me Fuenlabrada e ka tërbuar sulmuesin, i cili i ka kërkuar llogari trajnerit Luis Miguel Ramis.
Tonet e larta të Manajt nuk janë pritur mirë nga tekniku i Albacete, i cili e ka konsideruar sjelljen e Manajt si mungesë respekti ndaj shokëve të skuadrës. Lushnjari ka vënë në dukje pikërisht golin me Moldavinë, duke tentuar të bindë kreun e pankinës së skuadrës së tij që e meriton të luajë nga fillimi. /abcnews.al

