Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Rama: Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqen

schedule10:12 - 29 Shkurt, 2024

schedule 10:12 - 29 Shkurt, 2024

Kryeministri Edi Rama thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë paqe për të punuar për begati, pasi në të kundërt, mungesa e begatisë do të bëjë që të humbet paqja.

Gjatë fjalës së tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama u shpreh se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë, por se vendet e rajonit duhet të jenë më të gatshëm se kurrë që të ndihmojnë veten.

“Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës dhe as nuk mund të sigurohet mirëqënie për njerëzit tanë pa instrumentat e paqes dhe të bashkëpunimit përtej kufijve, gjuhëve. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësej begatie do të na bëjë të humbasim paqen. Bashkimi Evropian është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë. Duhet të jemi ne më të gatshëm se kurrë që të ndihmojmë veten. Më vete jemi të gjithë të vegjël. Së bashku, ne mbartim potencial të madh për mundësi pozitive. Si mund të bëhemi më të lirë e më të mëdhenj nëse kamionët e import eksportit presin 26 milionë orë në kufijtë tanë rajonalë? A mos jemi të çmendur, dembelë? A nuk është ende e qartë, se nuk ka një rrugë të shkurtër dhe nuk ka treg falas në Bashkimin Evropian.

Respektimi i shtetit të së drejtës është kusht për marrjen e fondeve. Për të shfrytëzuar planin e ri të rritjes, na duhet të ofrojmë rezultate të prekshme, jo vetëm së jashtmi, por edhe së brendshmi.  Ka një sërë kushtesh që duhet përmbushur nëse duam të marrim për vende tona fonde shtesë që kanë të bëjnë me planin e rritjes”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!