Samiti i Sigurisë për Ukrainën u zhvillua këtë të mërkurë në Tiranë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky.
ABC News ka siguruar ekskluzivisht foto nga takimi me Zelenskyn, kryeministrin Rama dhe liderët e pranishëm në Samit, takim ky i zhvilluar në një prej restoranteve në Tiranë, i shoqëruar nga forca të larta sigurie.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim “kokë më kokë” me presidentin Zelensky, ndërsa më pas zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për mediat, ku në fokus ishte rëndësia dhe uniteti për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.
Ndërkohë në deklaratën e Samitit Ukrainë – Europë Juglindore që u mbajt këtë të mërkurë në Tiranë të gjithë vendet pjesëmarrëse dënuan agresionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës me nisjen e luftës në shkurtin e vitit 2022, por gjithashtu edhe aneksimin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Në mesin e vendeve që ranë dakord mbi këtë pike të deklaratës ishte edhe Beogradi zyrtar.
Shtetet ranë dakord që të vijojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin Territorial të Ukrainës ndërsa u zotuan se do të vijojnë ti japin Kievit mbështetjen e duhur ushtarake.
/abcnews.al/