Duro: Kisha një arsye që e ndryshova modulin, për debatin pyesni Lerdën

schedule20:22 - 28 Tetor, 2019

schedule 20:22 - 28 Tetor, 2019

Shpëtim Duro, trajneri i Kukësit, pas ndeshjes me Partizanin u shpreh se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Tekniku kryeqytetas analizoi ndeshjes dhe fillimisht tha: “Patjetër ishte i drejtë barazimi. Luanim me ekipin kryesues dhe në aspektin psikologjik ata ishin më mirë, luanin në fushën e tyre dhe para tifozëve të kuq. Një fitore e Partizanit do na krijonte shumë probleme për vazhdimësinë.

Objektivi ishte fitorja, por edhe barazimi është i pranueshëm. Mund ta fitonim ndeshjen me ato raste të pakta. Pati edhe Partizani rastet e veta. Ishte një ndeshje taktike më shumë”. Duro foli edhe për epërsinë që kishin “demat”.

“Partizani pati epërsi territoriale, por kur rikuperonim topin mund të rrezikonim. Kemi gabuar në pasin final dhe në disa pasime të thjeshta. Kishim disa mundësi. Pasi i fundit në disa momente çaloi. Mund të rrezikonim më shumë. Gabimet e thjeshta, prej ngarkesës psikologjike? Patjetër. E thashë, po të ishim në kushte të tjera skuadra do të ishte më e qetë. Ata nuk e shfrytëzuan këtë faktor. Ngarkesa ka qenë më e lartë dhe në fund morëm një rezultat të mirë”.

“Ndryshimi i modulit? Kisha punuar gjithë javën që kundërshtari do luante sicc ka luajtur ndeshjet e fundit, 4-3-3. Mora informacion s’e kishin ndryshuar skemën dhe isha i detyruar t’i përgjigjesha me një vendosje tjetër, duke e zhvendosur Musollin në qendër të mbrojtjes. Largimi i Shkurtajt në fund na i prishi pak planet. Gjithsesi janë gjëra që ndodhin”.

Duro foli edhe në një lidhje me emisionin “Gol pas Goli” dhe theksoi se skuadra e tij është më e fortë: “Mendoj se Kukësi është më i fortë, pasi kemi fituar fazën e parë dhe barazuam këtu. Partizani ka edhe një tifozeri shumë të madhe dhe kjo i favorizon ekipin e kuq. Ne nuk dimë ku shkojmë, pasi nuk e dimë ku luajmë. Nuk e kemi një shtëpi”.

Gjatë ndeshjes trajneri Lerda i kërkoi kolegut të tij, Duro, që të mos e nxirrnin topin jashtë futbollistët pa pasur dëmtime në kokë. I pyetur për atë episod, trajneri kryeqytetas tha: “Pyesni Lerden për debatin. Nuk e di pse reagoi. U çudita, pasi trajnerët nuk kanë lidhje, as për etikë. Kam marrëdhënie të mira dhe jam takuar disa herë me të. Kërkesa? Duhet të ishte bërë kërkesa para ndeshjes”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!