Kuvendi ratifikoi marrëveshjen/ Reagon Rama: Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë

schedule11:57 - 22 Shkurt, 2024

schedule 11:57 - 22 Shkurt, 2024

SHQIPËRI– Kryeministri i vendit, Edi Rama ka përshëndetur ratifikimin nga Kuvendi të protokollit të marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Me një shënim në rrjetin social “X”, shefi i qeverisë tha se Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë përballë sfidave të emigracionit.

Ai shkroi se Evropa, duhet të shohë përtej ndarjeve tradicionale mes të majtës dhe të djathtës dhe se bashku duhet t’i japin përgjigjet e duhura fenomenit në rritje të emigracionit.

Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së, duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje, përballë një sfide që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta. Punojmë së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, pa e lënë këtë çështje të përdoret si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që rrisin ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt. Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të zvogëlojë vështirësinë e kësaj sfide dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyrë demode e të menduarit nuk mund të na shpëtojë nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane besnike ndaj vetvetes, mundet.”, shkroi Rama.

Marrëveshja Shqipëri-Itali për protokollin për emigrantët në seancën plenare të së enjtes (22 shkurt 2024) mori 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Krahas votave të PS-së, kjo marrëveshje bindi dhe mori edhe votat e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit/ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!