Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se bashkëpunimi i Turqisë dhe Shqipërisë është shumëdimensional, që vazhdon të zhvillohet.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ankara me kryeministrin Edi Rama, Erdogan u shpreh se volumi tregtar mes dy vendeve është rritur dhe objektiv është që të shkojë në 2 miliardë dollarë.
Erdogan i kujtoi ‘bastin’ kreut të qeverisë, kur në janar të vitit 2021, presidenti i Turqisë tha se spitali në Fier do të ndërtohej brenda 2 muajve, diçka e cila u bë realitet.
“Jam shumë i kënaqur që mirëpres kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama dhe delegacionin e tij në Ankara me rastin e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Ju uroj mirëseardhjen edhe një herë në praninë tuaj! Vitin e kaluar festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë shumëdimensional vazhdon të zhvillohet në kuadër të partneritetit strategjik që ne kemi shpallur në Ankara, së bashku me Kryeministrin Rama në vitin 2021. Sot, në mbledhjen e parë të Këshillit tonë, konfirmuam edhe një herë vendosmërinë për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona.
Theksova edhe një herë rëndësinë që i jep Turqia zhvillimit të Shqipërisë, mbështetjen për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar. Me marrëveshjet që nënshkruam, përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë. Objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliardë dollarë dhe përcaktuam këtë si objektiv. Kam besim se me përpjekjet e sektorit tonë privat do të arrijmë këtë shifër në një kohë shumë të shkurtër. Turqia është një prej pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj të Shqipërisë, me një investim që arrin deri në 3.5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase.
Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke për të rritur investimet dhe për të zhvilluar lidhjet midis sektorëve të biznesit. Do të vazhdojmë mbështetjet tona për projekte në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë përmes agjencisë TIKA. Edhe marrëveshja që ne nënshkruam pak më parë në lidhje me statusin e zyrës së koordinimit të TIKA-s ne Tiranë, do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin tonë. Në konferencën e shtypit që mbajtëm këtu me Kryeministrin Rama në janar 2021 dhamë lajmin e mirë dhe premtimin se do të ndërtonim brenda tre muajve një spital në Shqipëri, madje vendosëm edhe bast me zotin Rama për këtë çështje. Shyqyr Zotit, natyrisht që ne e mbajtëm fjalën dhe për një kohë rekord, prej tre muajsh, e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier. Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital ku gjejnë shërim pacientë që vijnë nga çdo rajon i Shqipërisë.
Ashtu si deri më sot, edhe këtej e tutje ne do të vazhdojmë të jemi, të qëndrojmë pranë popullit shqiptar. Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit, lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë fondacioni turk Maarif që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindjen se kjo mbështetje, ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.“, theksoi ndër të tjera Erdogan./abcnews.al



