Regjisorja Ada Gurra ka bërë në emisionin “Pas Mesnate” një rrëfim për jetën dhe karrierën e saj. Ajo ka zbuluar se gjithçka ka nisur nga muzika, pasi vinte nga një familje muzikantësh. Ada ka zbuluar se e ka nisur fillimisht me violinën, pastaj është aktivizuar me këngën.
“Unë jam rritur në një familje artistësh dhe muzika më ka shoqëruar që nga barku i mamit dhe deri më sot. Është pjesë e pandashme e jetës sime. E rëndësishme është të dëgjojmë muzikë të mirë dhe gjëja më e bukur është të lidhim momentet më të bukura të jetës sonë. Është ajo që na frymëzon dhe na ngushëllon.
Unë kam studiuar për violinë, pasi ishte e pashmangshme me një baba violinist dhe një nënë violiste, që unë mos të vija duart mbi violinë që në moshën 5-vjeçare. Babai më thotë që unë kam qenë shumë e talentuar, por nuk e doja. Erdhi një moment që nuk e doja. Këndimi ka ardhur rastësisht në jetën time, as nuk e kisha menduar asnjëherë. Ne shpeshherë mblidheshim në këto darkat familjare dhe këndonim këngët e kompozuara nga gjyshi. Një ditë një nga xhajat e mi, më dëgjon duke kënduar dhe pas disa kohësh i thotë babit: ‘Ajo ka zë’. Kur shkoja në shkollën “Fan Noli”, aty vinin zyshat e muzikës dhe shikonin fëmijët se kush ka zë, aty unë e zbulova talentin”, u shpreh ajo./abcnews.al