“Domosdoshmëri ruajtja e gjuhës shqipe në emigrim”, Hysa: Numërohen 8 milionë folës që jetojnë jashtë vendit

schedule10:30 - 20 Shkurt, 2024

schedule 10:30 - 20 Shkurt, 2024

Drejtoresha e Qendrës së Botimeve të Diasporës, Moza Hysa ka deklaruar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, se ruajtja e gjuhës shqipe në emigrim është një domosdoshmëri.

Ajo është ndalur dhe te sfidat e gjuhës që emigrantët hasin në vendet ku jetojnë, duke theksuar se shqipja numëron 8 milionë folës të cilët aktualisht ndodhen në emigrim.

“Kjo është një sfidë mbarëbotërore, por që rëndon në supet e një gjuhe të vogël disi më tepër. Nuk është vetëm sfida e gjuhës shqipe. Natyrisht për ne është ende akoma edhe më e vështirë. Kështu që duhen politika të menduara dhe më mirë, për të ruajtur gjuhën shqipe, sidomos për një pjesë të shqiptarëve jashtë vendit, sepse duam apo nuk duam ne, kemi shqiptarinë më të madhe jashtë sesa brenda. Kur themi mbi 8 milionë janë shumë. Pse është e rëndësishme ruajtja për ta? Për ta sepse nëse ne do të duam që ky vend të zhvillohet dhe më tepër, patjetër do të shtrojmë përmes gjuhës rrugët e kthimit pikërisht të këtyre shqiptarëve edhe sikur ata të mos vijnë asnjëherë të jetojnë në Shqipëri, ata janë që e çojnë emrin e Shqipërisë, në vendet ku jetojnë. Janë pikërisht ata që do të investojnë në forma të ndryshme, të bashkëpunojnë me shqiptarët brenda vendit. Një diplomaci kulturore të suksesshme e bëjmë përmes shqiptarëve atje, kështu që sfida atje është dhe më e madhe sesa për shqiptarët brenda vendit se natyrisht ne këtu flasim gjuhën tonë, pavarësisht mangësive të ndryshme, problemeve që ka, presionit të madh nga anglishtja”, tha Hysa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!