Legjionarët “mesazhe” Sylvinhos/ Manaj, Mitaj, Muçolli e Cristian Shpendi gjejnë rrjetën. Cikalleshi dhe Uzuni vendimtarë me asiste

schedule10:13 - 12 Shkurt, 2024

schedule 10:13 - 12 Shkurt, 2024

Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër fundjavë pozitive, teksa një pjesë e tyre ishin vendimtarë me gola dhe asiste.

Myrto Uzuni e nisi si titullar ndeshjen e Granadës ndaj Barcelonës. Sfida përfundoi në barazim me rezultatin 3-3 dhe sulmuesi kuqezi bëri një paraqitje shumë të mirë, teksa dhuroi asistin e golit të dytë për shokun e tij të skuadrës.

Në kampionatin turk vijojnë të shkëlqejnë Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj. Të dy ishin protagonistë në fitoret e skuadrave të tyre. Konyaspor triumfoi 1-0 ndaj Ankaragucu dhe sulmuesi kuqezi Sokol Cikalleshi, asistoi për golin e fitores në minutën e 38-të të pjesës së parë.

Ndërsa Rey Manaj realizoi një perlë të vërtetë nga goditja e dënimit, në sfidën e Sivasspor ndaj Rizespor. Ndeshja përfundoi 1-0 dhe Manaj i dhuroi tre pikët skuadrës së tij, teksa për të ishte goli i 12-të në kampionatin turk.

Te goli u rikthye edhe Arbnor Muçolli. Sulmuesi kuqezi shndërroi në gol një penallti në fitoren e skuadrës së tij Goteborg 3-1 ndaj Brondby.

Mario Mitaj realizoi sërish për Lokomotiv Moscow në sfidën miqësore ndaj Torpedo Moscow. Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar takimin dhe shënoi golin e dytë në fitoren 2-0.

Sulmuesi i shpresave Cristian Shpendi nuk njeh kufi, teksa gjeti sërish rrugën e rrjetës në sfidën e Cesenës në transfertë ndaj Rimini. Golashënuesi më i mirë i kampionatit në Serinë C italiane, realizoi golin e dytë në fitoren e skuadrës së tij 0-2. Një sezon fantastik për Cristian Shpendin që tani numëron 15 gola në kampionat.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Keidi Bare dhe Armando Broja./ h.ll/abcnews.al