Alexander Stubb fiton zgjedhjet presidenciale në Finlandë

schedule08:37 - 12 Shkurt, 2024

schedule 08:37 - 12 Shkurt, 2024

Ish-kryeministri i Finlandës, Alexander Stubb, fitoi balotazhin e së dielës, duke u zgjedhur presidenti i ri i vendit. Rezultati është vëzhguar nga afër në kryeqytetet europiane dhe më gjerë, duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike të rëndësishme të Finlandës përgjatë kufirit lindor të BE-së dhe NATO-s me një Rusi gjithnjë e më agresive.

Presidenti i vendit drejton politikën e tij të jashtme përkrah qeverisë dhe shërben si komandant i përgjithshëm i Finlandës.

Stubb, një anëtar i Partisë së Koalicionit Kombëtar të qendrës së djathtë (NCP), mundi ish-ministrin e Jashtëm, Pekka Haavisto të Partisë së Gjelbër të qendrës së majtë në balotazh, 51.6 për qind ndaj 48.4 për qind.

Stubb tha para zgjedhjeve se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 e kishte bindur atë të kthehej në politikën finlandeze dhe të kontribuonte në përpjekjet e Europës për t’u përballur me Kremlinin.

“Ne duhet të kujtojmë se një nga detyrat kryesore të presidentit është të sigurojë që Finlanda të promovojë paqen dhe unë do ta bëj këtë si president”, tha Stubb pas fitores.

Presidenti i ri pason presidentin aktual në largim Sauli Niinistö, gjithashtu nga NCP, i cili ka arritur kufirin e Finlandës prej dy mandatesh gjashtëvjeçare. Niinistö ishte fytyra e vendimit të Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n prillin e kaluar, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Stubb ka lindur në Helsinki dhe ka qenë anëtar i Parlamentit Europian, anëtar i parlamentit të Finlandës, kryeministër midis 2014 dhe 2015 dhe ministër.

Siguria dhe mbrojtja ndërkombëtare kanë qenë një prioritet i lartë për votuesit finlandezë mes akuzave të Moskës për nxitjen e një “operacioni hibrid” në kufirin e përbashkët të Rusisë dhe Finlandës, duke bërë që Finlanda të mbyllë përkohësisht kufirin.

Stubb e ka përshkruar politikën e jashtme dhe sigurinë si çështje ekzistenciale për Finlandën.

“Për Finlandën, politika e jashtme, politika e sigurisë, janë ekzistenciale”, tha ai.

/abcnews.al