Vllaznia pa dy titullarë, Jonuz “kërcënon” Laçin: Barazimi s’na intereson!

schedule12:58 - 26 Tetor, 2019

schedule 12:58 - 26 Tetor, 2019

Vllaznia udhëton drejt Laçit nesër dhe kërkon të vijojë të marrë rezultatet pozitive jashtë fushe. Trajneri i kuqebluve, Mirsad Jonuz, thekson se një pikë nuk u bën punë, ndaj duan triumfin me bardhezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu. Tekniku analizoi kundërshtarin në konferencën e sotme për shtyp, ndërkohë që foli edhe për gjendjen në skuadrën e tij.

SITUATA NË EKIP – “Ndodhemi në një periudhë kur skuadra ka zhvilluar dy takime në harkun e katër ditëve dhe ka një tjetër brenda javës. Të gjithë takimet kanë qenë të rëndësishme, ashtu siç është edhe takimi me Laçin. Nuk ka diferenca mes skuadrave. Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe të rëndësishme. Ne kemi rreth tre muaj që të gjithë lojtarët jemi bërë një dhe pas 9 javëve të para njihemi edhe më mirë me njëri-tjetrin. Ne kemi arritur që të komunikojmë mirë së bashku. Të dy skuadrave u duhen pikët. Por ajo që unë synoj është që Vllaznia të jetë një skuadër kompakte, që do të luajë kundër çdo kundërshtari”.

KUNDËRSHTARI – “Skuadra e Laçit mori pjesë në Kupat e Europës. Lojtarët e saj kanë luajtur gjatë gjithë verës. Para dy javësh kanë ndryshuar edhe trajnerin, duke futur më shumë cilësi tani në këtë skuadër. Skuadra ka mjaft kualitete. Ajo që shikohet është se nga takimi në takim ajo po luan edhe më mirë. Do ju kënaqte edhe një pikë në këtë sfidë? Nuk do t’i kryente punë asnjërës prej skuadrave një pikë. Ne shkojmë për ta fituar këtë takim. Sfidë me Cungun nesër? Nuk ka lidhje një gjë e tillë. Ai bën punën e tij, unë timen. Nuk është e habitshme që pas një farë kohe ai të jetë këtu dhe unë në një skuadër tjetër”.

DËMTIMET – “Për këtë takim do të marr 20 lojtarë. Dihet që nuk do të jenë Hygor e Gligorov, ndërsa të tjerët janë të gatshëm që të japim gjithçka në fushën e lojës. Ajo që për mua është me rëndësi në këtë lloj derbit të fqinjëve, është se këto dy skuadra janë mësuar si brenda dhe jashtë të humbin dhe të fitojnë pikë. Pas takimit me Flamurtarin, disa lojtarëve u kemi dhënë pushim për t’u rifreskuar. Me përjashtim të dyshes që përmenda më parë, të gjithë të tjerët janë të gatshëm. Do të shkojmë për të fituar tre pikët. Ajo që më kënaq është se lojtarët e Vllaznisë janë të gatshëm që të japin gjithçka nga vetja.

ECURIA NË TRANSFERTA – “Mendoj se do të vazhdojmë sërish kështu. Dy ndeshjet e humbura ndaj Tiranës dhe Partizanit ishin dy fatkeqësi për Vllazninë. Dihet se ndaj Tiranës ishte arbitri që ndikoi. Edhe në takimin ndaj Partizanit pjesërisht arbitri dhe pjesërisht gabimet individuale tonat”.

POZICIONI NË KLASIFIKIM – “Nuk ka rëndësi renditja në tabelë. Ne po ndërtojmë një skuadër të mirë dhe të stabilizuar. Pas takimit me Laçin kemi të tjera takime të forta, si me Bylisin e Tiranën. Pastaj do ta shikojmë sesi do të shkojë puna. Dëshira ime është që të fitojmë sa më shumë pikë në fazën e dytë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!