Atentati në Kurbin/ Plumba në një firmë inertesh, vritet ekonomisti, plagoset pronari

schedule15:18 - 10 Shkurt, 2024

schedule 15:18 - 10 Shkurt, 2024

Një atentat ndodhi mëngjesin e të shtunës në fshatin Gurëz të Kurbinit. Pikërisht në zyrën e firmës se inerteve që ndodhet pas krahëve të mi,  u vra një 70-vjeçar dhe u plagos pronari 52 vjeç.

Viktimë e këtij atentati mbeti ekonomisti i firmës Selman Mihana ndërsa dy plumba kapën Ardian Gjeloshin i cili u transportua ne spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Abc News mëson se autorët kanë mundur të hynë brenda rrethimit të firmës së inerteve dhe kanë pritur Ardian Gjeloshin i cili sipas policisë ishte shënjestra e atentatit.

Sapo Ardian Gjeloshi ka mbërritur tek dera e zyrës bashkë me ekonomistin Selman Mihana, autorët të cilët dyshohet se ishin 2, kanë hapur zjarr ndaj tyre. Në vendin e ngjarje policia mblodhi mbi 15 gëzhoja.

Zëvendës drejtori i Policisë në Lezhë Gentjan Berberi, tha se për këtë ngjarje po hetohen mosmarrëveshjet e shënjestrës se atentatit.

“Kemi ndihmën e departamentit të policisë kriminale, jemi në veprimet e para. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Autorët mendohet se kanë lëvizur me një mjet, po hetojmë hetimet, mosmarrëveshjet që ka pasur objektivi, pronari i firmës, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.”

Mësohet se janë dy pista ku janë fokusuar hetimet e policisë. E para lidhet me konfliktet për shkak të firmës së inerteve ndërsa pista e dytë sipas policisë është ajo e hakmarrjes. Emra të familjes Gjeloshaj u lakuan në një ngjarje të rëndë te ndodhur në vitin 2002.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!