“Djali i keq” Theo: Pioli më pëlqen, Maldini më hipnotizoi

schedule11:31 - 26 Tetor, 2019

schedule 11:31 - 26 Tetor, 2019

Paolo Maldini fluturoi drejt Spanjës në verë dhe arriti të bindë Theo Hernandez. 22-vjeçari nuk mund të refuzonte ofertën e legjendës kuqezi dhe pranoi të transferohej në Serie A.

25 milionë euro përfunduan në arkat e Real Madrid dhe Theo firmosi deri në vitin 2024. Mbrojtësi i majtë ka cilësi të mëdha dhe po arrin t’i bindë të gjithë në kampin e “Djallit”.

Në një prononcim për Gazzetta dello Sport, Theo Hernandez rikujton bisedat me Maldinin dhe sqaron gjendjen e ekipit. Stefano Pioli i pëlqen dhe po mëson shumë prej tij. Në Madrid e cilësonin si një djalë të keq, por ai është pjekur dhe sot preferon ta kalojë kohën e lirë duke luajtur me qentë e tij ose duke parë tenis.

PRAPASKENA – “Është nder i madh për mua që të aktivizohem në rolin ku ka luajtur Maldini. Paolo ka shkruar historinë e futbollit, jo vetëm me Milanin. Me mua u tregua shumë bindës dhe nuk m’u desh shumë për të vendosur e për të pranuar ofertën e kuqezinjve. Bisedova me agjentin tim dhe ramë menjëherë dakord. Milani është një klub me histori të madhe, një ndër më të titulluarit në botë. Ia vlente të bëja një zgjedhje të tillë”.

Theo në një dyluftim me Thomas Muller

SITUATA – “Në futboll ndodhin shumë gjëra. Nuk di sa kohë duhet që të kthehemi në majë, por jemi në rrugën e duhur. Kemi një skuadër të mirë dhe mendoj se i kemi kartat në rregull për t’u renditur në katër vendet e para”.

TRAJNERI – “Pioli po na mëson shumë gjëra. Është një person i përgatitur dhe dalëngadalë do të rikthehemi te rezultatet pozitive. Moduli i tij i ri më pëlqen, ndoshta na bën të ndjehemi më të lirshëm. Ai nuk flet spanjisht, unë nuk kam mësuar akoma italisht, por arrijmë të kuptohemi”.

THEO – “Kam marrë shumë ofendime dhe kritika në Madrid. Më cilësonin si një djalë të keq. E kam bërë ndonjë budallallëk, por tani jam pjekur si person. E konsideroj veten si një tip gazmor dhe të qetë. Kaloj shumë kohë në shtëpi me qentë e mi ose duke parë tenis në TV. I preferuari? Rafael Nadal. Është numri një, është më i mirë edhe se Federer”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!