Një helikopter ushtarak u rrëzua mbrëmjen e së mërkurës në provincën El Menia të Algjerisë, duke vrarë tre anëtarët e ekuipazhit, njoftoi këtë të enjte Ministria e Mbrojtjes e vendit.
Helikopteri Mi-171 i prodhimit rus ishte në një fluturim stërvitor natën kur ndodhi përplasja. Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, sqarohet se në bordin e helikopterit fatal ndodheshin një kapiten, një zëvendës kapiten dhe një kapiten i Forcave Ajrore Algjeriane.
Shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura algjeriane, Said Sengriha, urdhëroi një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Rrëzimi i mëparshëm i helikopterit ushtarak në Algjeri ndodhi në janar 2023. Më pas tre oficerë u vranë kur një helikopter i të njëjtit lloj u rrëzua 200 kilometra në jugperëndim të Algjerit./abcnews.al