Ishte viti 1920 kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes me në krye Sulejman Delvinën u vendos në Tiranë duke e shpallur si kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë status që e mori përfundimisht pesë vite më pas.
Më 11 shkurt bëhen 104 vjet nga kthimi i Tiranës qendër të jetës politike dhe shoqërore. Këtë ngjarje bashkia do ta festojë me një sërë aktivitetesh.
Organizimet do të jenë për të rritur dhe fëmijë ndërsa në skenë feste do të kthehet rruga “Myslym Shyri”.
“Këtë vit do të fokusohemi në datën 10 pasi 11 sipas parashikimeve të motit do të jetë shumë shi do të ketë evente të tjera të institucioneve të tjera në ambiente të mbyllura, por ne kemi vendosur që në rrugën “Myslym Shyri” një agjendë e gjerë nga mëngjesi deri në darkë nga ora 10 deri në 10. Do ketë një zonë që do ti dedikohet artit pikturës, skulpturës, një zonë për ushqimin e shëndetshëm, një zonë ku do të fokusohet pjesa e sportit, fusha të vogla, tenis, ping pong, volejboll, basketboll ta kthejmë këtë rrugë që i dedikohet makinave”, ka thënë Mirela Koçollari, Drejtoreshë e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit.
Lojëra popullore, ekspozita fotografike, panair artizanati, janë përgatitur për atë ditë.
Në mbrëmje festa kulmon me muzikë me dj të njohur. Për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve qarkullimi I automjeteve do të kufizohet në disa rrugë të Tiranës.
Do të ketë disa devijime, tek “Myslym Shyri” do të devijohet trafiku në rrugën “Sami Frashëri” dhe me pas tek rruga “Reshit Çollaku do të dalin tek Gjykata e Lartë duke vijuar tek Tajvani kështu që vetëm për një ditë do të jetë e dedikuar qytetarëve”
Ky plan lëvizje për automjetet sipas Bashkisë së Tiranës do të nisë në orën 9 të mbrëmjes së të premtes së 9 shkurtit dhe do të zgjasë deri në orën tre të drekës së të dielës së 11 shkurtit. Qarkullimi i automjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht.
/abcnews.al/