Mauro Icardi po i bind të gjithë te PSG-ja. Sulmuesi argjentinas erdhi në huazim nga Interi dhe kampionët e Francës kanë opsionin e blerjes së tij të plotë në verë për shumën e 70 milionë eurove.
Deri tani ka bërë mirë dhe ka shënuar 5 gola në gjashtë ndeshje. Icardi ka lënë pas krahëve problemet e hasura në Itali dhe ka rilindur në qytetin e dashurisë. Leonardo ka nisur punën për blerjen e tij të plotë.
L’Equipe thekson se drejtori sportiv i PSG-së do të nisë së shpejti negociatat me klubin zikaltër. Operacioni pritet të realizohet në javët e ardhshme, aty ku do të arrihet akordi përfundimtar. Festat e fundvitit pritet ta gjejnë Icardin me një numër më të madh golash dhe zyrtarisht lojtar të ekipit francez. /abcnews.al