“Rolin e Task Forcës, ta bënin bashkitë”, eksperti: Duhet të ndërtojmë sisteme funksionale

schedule14:30 - 7 Shkurt, 2024

schedule 14:30 - 7 Shkurt, 2024

TIRANË- Në Task Forcën e krijuar nga qeveria për të ndaluar ndotjen e deteve bashkitë do të kenë rol të rëndësishëm. Ato do te koordinojnë punën e gjithë institucioneve të përfshira në këtë strukturë ndërsa në terren përfaqësuesit e pushtetit vendor do të informojnë bizneset për rëndësinë që ka vendosja e impianteve për përpunimin e ujërave të ndotura.

Eksperti për çështjet e pushteti vendor,  Agron Haxhimali, i ftuar në “Money Report” u shpreh se ky fenomen merr zgjidhje duke ndërtuar sisteme funksionale të qëndrueshme dhe jo me Task Forca.

“Nuk duhet sot të diskutonim se ku do ti hidhnin ujërat e zeza bizneset. Sistemi duhet të ishte i integruar. Nuk shkon kjo çështje me masa preventive. Institucionet shqiptaret duhet të ndërtojnë sisteme të tilla funksionale. Një sistem i qëndrueshëm duhet t’u shërbehet qytetarëve. Ka nevojë për më shumë investime”, tha ai.

Ai theksoi se kjo është përgjegjësia e bashkive dhe fakti që është e domosdoshme ngritja e Task Forcës tregon se puna nuk është kryer siç duhet nga pushteti vendor.

“Bashkitë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta, të marrin të gjitha masat për sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza. Fakti që vijnë në këtë situatë tregon se nuk është kryer mirë puna. Për të qenë pozitiv, le të shikojmë rezultatet e punës. Në themel të përgjegjësive, bashkitë duhet ta mbështesin, por unë zgjidhjen e shoh të investimi i sistemeve të qëndrueshme dhe jo me këto masa. Duhet të ndryshojmë kulturën tonë si biznese dhe si qytetarë”, tha ai./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!