ROMË– Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar paraditen e kësaj të marte dokumentin përfundimtar të marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.
Marrëveshja në fjalë u firmos nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu Italian, Antonio Tajani.
Nga kjo marrëveshje historike do të përfitojnë 300- 500 mijë shqiptarë në Itali dhe shumë italianë, të cilët kanë punuar dhe kanë derdhur kontribute shoqërore në vendin tonë.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Marrëveshja reciproke bashkon vitet e kontributeve në të dyja vendet dhe qytetari merr dy pensione të ndryshme në të dyja shtetet.
Pas kësaj, marrëveshja për pensionet duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dyja vendeve më pas hyn në fuqi menjëherë./ n.m.abcnews.al