Gjërat Tona/ Dumani, rrëfimet e një vrasësi

schedule20:37 - 4 Shkurt, 2024

schedule 20:37 - 4 Shkurt, 2024

“I paskrupullt dhe i aftë të bëjë gjithçka”.

Kështu ua përshkroi Nuredin Dumanin autoriteteve franceze një adoleshente shqiptare që ishte trafikuar atje dhe shfrytëzohej për prostitucion. Vajza nga Durrësi, në mesin e vitin 2017, u shpëtoi nga duart trafikantëve duke u hedhur para një makinë Policie në Bordo. Ajo tregoi gjithçka. Foli për Nuredin Dumanin. Atë që e kishte përdhunuar e më pas trafikuar, duke e kërcënuar me jetën e motrës së mitur.

Pesë vite pas kësaj dëshmie, që autoritetet franceze ia kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, rezultoi pikërisht ashtu siç e kishte përshkruar vajza e trafikuar.

Nuredin Dumani ishte i aftë të bënte gjithçka, sidomos të vriste.

Madje këtë ai e kishte kthyer në biznes. Një biznes gjaku, nga i cili për vite me radhë përfitoi miliona. Ai mund të konsiderohet tashmë si vrasësi serial i dekadës së fundit. Jo pa qëllim policia e kodoi me emrin “Plumbi i artë”, operacionin e vitit 2022. Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje në Elbasan, kur ra pre e një atentati ku mbeti edhe i plagosur. Pas arrestimit të tij dhe bashkëpunimit me prokurorinë, SPAK lëshoi 32 urdhra arresti ku u vunë në pranga 20 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Mes personave të shpallur në kërkim janë edhe emra të njohur si, Ervis Martinaj, Talo Çela e Suel Çela.

Dosja ndaj 20 personave të marrë të pandehur pas dëshmisë së Nuredin Dumanit më 29 janar kaloi për gjykim. Kjo është çështja më voluminoze në Prokurorinë e Posaçme pasi pjesë e saj janë disa procedime penale, për 18 ngjarje kriminale mes të cilave vrasje , grabitje me armë, vendosje tritoli, trafik të lëndëve narkotike deri tek dhuna në familje.

Vrasje të kryera gjatë një dekade, të mbetura pa autor, u zbardhën nga vetë vrasësi me pagesë që u kthye në të penduar. Krimet që me gjasë mund të mos zbardheshin edhe për dekada të tjera, tashmë kanë emra porositësish, organizatorësh dhe vrasësish që pritet të gjykohen. Ishte vetë killeri Nuredin Dumani, i arrestuar në Fier marsin e vitit 2022, ai që, ndoshta i detyruar nga rrethanat zgjodhi të tregojë gjithçka.

Emri i Nuredin Dumanit doli në skenë më 9 tetor të vitit 2020, kohë kur u shpall në kërkim për vrasje. Policia njoftonte në atë kohë se, strukturat hetimore të Policisë së Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë, 20 ditë pas vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, kishin identifikuar autorin. Bëhej fjalë për Nuredin Dumanin, në atë kohë 37 vjeç, lindur në Dibër e banues në Durrës, ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, me akuzën e “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Arratia e tij mori fund në mars të vitit 2022, kur teksa po tentonte të kryente një tjetër vrasje, mbeti vetë i plagosur. Tani, më shumë se një vit pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për Nuredin Dumanin dhe personat e tjerë që u prangosën gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.

Përveç Nuredin Dumanit, pjesë e dosjes janë disa bashkëpunëtorë të drejtësisë, mes të cilëve Skerdi Tase e Euglen Halili. Në muajin gusht, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe u kthye në të penduar, edhe Erjon Alibej, që ishte në rolin e porositësit. Më herët kanë bashkëpunuar me SPAK edhe Henrik Hoxhaj e Klevis Alla, por disa dëshmi të tyre kanë rezultuar të pasakta dhe për këtë arsye kanë humbur statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Por cilat janë disa prej ngjarjeve më të rënda, të realizuara e të dështuara, për të cilat hodhën dritë vetë vrasësit.

5 Shkurt 2011

Tentativa e vrasjes së Filip Gjeloshit në Tiranë

Henrik Hoxhaj, “killeri” i arrestuar bashkë me Nuredin Dumanin, mes disa krimeve të kryera, ka rrëfyer edhe një ngjarje të ndodhur më shumë se një dekadë më parë. Ai ka treguar para hetuesve se në shkurt të viti 2011, ka marrë porosi nga Ardian Uzuni, i cili aktualisht ndodhet në burg për ngjarje të tjera kriminale. Ky person i ka ofruar 50 mijë euro për të eliminuar Filip Gjeloshin.

Ngjarja është tentuar të kryhet mbrëmjen e 5 shkurtit të vitit 2011, por Gjeloshi i ka shpëtuar atentatit, duke mbetur i plagosur. Atë natë në mbrëmje, rreth orës 20:30, në kryqëzimin e rrugës “Siri Kodra” me rrugën “Dukë Duka”, nga persona të pa indentifikuar, është qëlluar me armë zjarri Filip Gjeloshi. Për pasojë, ai është plagosur lehtë në krah. Policia gjeti në vendngjarje një automatik model 56 me selienciator, i cili ka në krehrin e tij 15 fishkë si dhe një  fishek në  fole dhe 5 gëzhoja me ngjyrë jeshile.

Prokuroria arsyetonte se: Nga veprimet paraprake hetimore ka rezultuar se, Filip Gjeloshi, rreth orës 20:00 pasi ka mbyllur lokalin e tij, ka lëvizur me makinën tip “Mitsubishi”, me ngjyrë të bardhë. Në makinë bashkë me të ka qenë dhe shtetasja Mimoza Isufi. Në momentin që i është afruar kryqëzimit të rrugës, në afërsi të banesës së tij, është qëlluar me armë zjarri disa herë. Në automjetin e tij janë konstatuar dëmtime me armë zjarri. Gjithashtu, Filip Gjeloshi ka marrë plagë të lehta në krah jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë ngjarje, janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të dobishme hetimit shtetasit: Mimoza lsufi, Gjin Gjeloshi, Filip Gjeloshi dhe Ardian Uzuni.

Gjatë hetimit është pyetur Henrik Hoxhaj, i cili jep të dhëna me interes në lidhje me autorët e përfshirë në këtë ngjarje dhe mekanizmin e kryerjes atentatit ndaj Gjeloshit.

Henrik Hoxhaj: Ardian Uzuni, më ka ofruar që për të kryer vrasjen e Filip Gjeloshit do të merrja shumën 50 mijë euro dhe më ka dhënë 10 milion lekë paradhënie për shpenzimet. Arsyeja se përse donte ta vriste ishte se, Filip Gjeloshi e kishte kërcënuar dhe ofenduar në telefon Ardianin pasi ky i fundit i kishte rrahur një njeriun e Filipit. Unë kam pasur një automjet “Fiat Punto” të bardhë dhe brenda mjetit kam pasur një automatik kallashnikov me silenciator. Automatikun ma ka gjetur Ardiani i cili njihej me pseudonimin “Cufi” dhe përveçse më gjeti armën, i ka bërë, nuk e di se ku edhe një silenciator, të cilin e provuam tek karburanti i tij në Allias.

Më tej në dëshminë e tij, Henrik Hoxhaj tregon se i është afruar lokalit të Gjeloshit dhe sapo e ka parë që po afrohej dhe ka ndaluar në kthesë, ka dalë nga makina e tij duke qëlluar me breshëri të shkurtra, por i ka ndërprerë të shtënat pasi ka parë se në vendin e parë të makinës ka qenë një femër.

Henrik Hoxhaj: Duke qenë se nuk doja të dëmtoja femrën, kam vendosur të mos qëlloja më dhe jam futur në makinën time dhe jam larguar për nga drejtimi i sipërm, pasi nga shinat e trenit mund të kishte postbllok tek ura e Paskuqanit. Më pas pashë në televizor që ai ishte plagosur nga atentati por nuk jam marrë më me atë punë…

Në dosjen e SPAK thuhet se ky deklarim është në përputhje me provat e tjera të grumbulluara gjatë hetimit. Nga deklarimi i Hoxhajt merren të dhëna me interes në lidhje me ekzekutorin ku rezulton se është vetë ai, në lidhje me porositësin e këtij krimi ku rezulton të jetë Ardian Uzuni.

5 Qershor 2012

Vrasja e Elvis Dedajt në hyrje të një restoranti në Durrës

Më 5 qershor të vitit 2012, në orën 17:58, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, është marrë njoftim se një person është vrarë me armë zjarri. Ngjarja kishte ndodhur në lagjen nr.13, Plazh, Durrës në rrugën dytësore Plepa–Golem, mes dy restoranteve. Nga hetimet ka rezultuar se viktima ishte Elvis Dedaj, nga Kavaja, banues në Lagjen nr.3, në Durrës.

Në dosjen e SPAK sqarohet se, dy vite para ngjarjes, Dedaj kishte krijuar marrëdhënie shoqërore dhe pune me Festim Qolin, i cili banon në lagjen nr.14, Durrës. Fillimisht ata së bashku kanë blerë pikën e karburantit “Clasik”, ku Festim Qoli zotëronte 49% të aksioneve ndërsa nëna e Elvis Dedajt, Fatmira Habili, zotëronte 51%. Festim Qoli dhe Elvis Dedaj kanë pasur edhe prona të tjera të përbashkëta të regjistruara në emër të Festim Qolit por gjatë vitit 2011 – 2012 Elvisi ka kërkuar që secili të marrë pjesën e tij, prandaj ata kanë filluar veprimet që t’i ndajnë pronat ndërmjet tyre.

Veprimet për ndarjen e pasurive kanë filluar të sjellin pakënaqësi konflikt e mosmarrëveshje ndërmjet tyre. Një ditë para ngjarjes, Festim Qoli dhe Elvis Dedaj janë takuar në afërsi të Shkëmbit të Kavajës dhe kanë biseduar për problemet që kishin. Elvisi ka qenë i shqetësuar dhe kishte shkuar aty i armatosur me një pistoletë, e cila është gjetur me fishek në fole brenda automjetit ku ai është vrarë.

Nga hetimi ka rezultuar se, Elvis Dedaj, ditën e ngjarjes, rreth orës 14:45 minuta është nisur në drejtim të zonës së Shkëmbit të Kavajës. Rreth një orë më vonë është rikthyer tek karburanti, ka hipur në automjet i vetëm dhe është nisur në drejtimin Plepa – Durrës, po në rrugën dytësore.

Në distancën rreth 80 metër nga vendi i nisjes, i është organizuar një pritë ku është ndaluar dhe është vrarë. Nga hetimet e Prokurorisë Durrës, është konkluduar se vrasja është kryer nga dy persona, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të qitura nga dy armë zjarri të ndryshme. Elvis Dedaj është vrarë brenda në autoveturën e tij, ndërsa autorët kanë përdorur një automjet tip “Mitsubishi”, fuoristradë, me targa të Kosovës.

Në orën 18:35 minuta, është marrë informacion nga policia së në zonën e quajtur “Kodër” në fshatin Arapaj-Durrës, në një ish-pikë ushtarake kundër-ajrore, ishte duke u djegur një automjet. Për këtë rast menjëherë janë kryer veprimet si një ngjarje që kishte lidhje me vrasjen e Elvis Dedajt.

Nga një eksperiment hetimor ka rezultuar e provuar se numri i telefonit që ishte përdorur nga personi i dyshuar, Festim Qoli, është loguar para vrasjes së Elvis Dedajt, shumë pranë vendit të ngjarjes. Gjithashtu është loguar edhe në fshatin “Pjeze”, ku është djegur automjeti pas vrasjes.

Nga deklarimet e nënës së Elvis Dedajt, shtetases Fatmira Habili, ajo shprehej se kishte dyshime të forta, se autor i vrasjes së djalit të saj, ishte Festim Qoli. Ajo ka treguar se ata, djali i saj dhe Festimi, kishin qenë shokë të ngushtë, por dëshira e Elvisit për të ndarë pasuritë dhe bizneset në bashkëpronësi, kishte qenë shkaku i lindjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Nga ana tjetër, Policia ka gjetur Festim Qolin, i cili qëndronte i fshehur dhe e ka marrë në pyetje. Ai ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, por nga ana tjetër ka shpjeguar se, kishte qëndruar për një kohë i fshehur pasi kishte dëgjuar se të afërm të Elvisit kishin vajtur me armë në pikën e karburantit duke e kërkuar për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e Elvisit.

Për këtë vrasje ka dëshmuar edhe Nuredin Dumani, pasi ka marrë statusin e të penduarit.

Nuredin Dumani: E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thoshin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas, kur krijova relata më të ngushta me Festimin u njoha edhe me Henrik Hoxhën. Aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Elvis Dedajt ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festim ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Elvisin ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedajt. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë në një lokal anës rrugës së Kënetës, në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën “Mitsubishi”, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën.

Prokuroria, bazuar në aktet e administruara dhe deklarimet e Nuredin Dumani, arsyeton se, lidhur me këtë ngjarje, deklarimet e Dumanit përputhen me mekanizmin e ngjarjes, me përfundimet e eksperimentit hetimor.

14 Shtator 2013

Vrasja e Fatmira Habili, nënës së Elvis Dedajt, në garazhin e pallatit

Rreth orës 13:30, të datës 14 shtator 2013, në garazhin e pallatit, në lagjen nr.3, në Durrës, është gjetur e vrarë Fatmira Habili, Dedaj. Ajo është goditur për vdekje pranë makinës së saj tip “Citroen”. Në të njëjtin vend janë gjetur çelësat e automjetit dhe një celular “Nokia”, i ndezur. Për të mbuluar qëllimin e vërtetë të vrasjes, autorët kanë simuluar sikur ngjarja të ishte bërë për motive grabitje, duke i marrë çantën, duke e goditur jo me armë por me grushte dhe në fund është goditur me mjet prerës në qafë. Edhe për këtë ngjarje ka dhënë deklarime Nuredin Dumani, të cilat përputhen me veprimet hetimore vtë kryera nga Prokuroria. Rezulton se nga këqyrja e sistemit Tims, Festim Qoli ka dalë nga Republika e Shqipërisë nga Rinasi  në datën 5 shtator 2013 dhe është futur në Shqipëri nga Greqia në datën 11 tetor 2013. Lidhur me këtë  vrasje personat e përfshirë dyshohet të jenë: Festim Qoli, Petrit Qoli, Agron Qoli, Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë vrarë Fatmira Habilin, pasi ajo po u sillte probleme lidhur me vrasjen e djalit të saj shtetasit Elvis Dedajt, vrasje për të cilën ajo në mënyrë të vazhdueshme kishte fajësuar Festim Qolin si autor.

Nuredin Dumani: Gjatë diskutimit, Festim Qoli më tha se po e ngushton nëna Elvis Dedajt, pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo quhej Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam më tha se do me jepte 40 mijë euro po ta vrisja. I thashë se do flisja me disa persona. Nuk e di atë ditë apo më vonë, por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela dhe ramë dakord.

Në deklarimet e tij, Nuredin Dumani shpjegon se pas diskutimeve, përfundimisht ishte vendosur që vrasja e Fatmirës të bëhej në garazhin e pallatit të saj. Ndërkohë Festim Qoli ishte larguar nga Shqipëria dhe këtë e kishte planifikuar më përpara, pasi nuk duhej të ishte kur të ndodhte vrasja. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Dumani tregon se ditën e ngjarjes kanë shkuar bashkë me Talo Çelën në një makinë. Talo ka qëndruar mbrapa, ndërsa Dumani ishte në drejtim të makinës. Kanë qëndruar tek hyrja e garazhit. Ndërsa me vete kishin një pistoiletë TT dhe një thikë që e mbante Talo Çela.

Nuredin Dumani: Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend pasi unë isha në timon. Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po se përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eleminuar, më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti.

Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek pilafi në Bradashesh. I dhashë 30 mijë mijë euro Talo Çelës dhe 10 mijë euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku.

13 Dhjetor 2019

Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit e plagosja e Ardit Uruçit

Më datë 13 dhjetor 2019, rreth orës 18:40, në fshatin Përparim të Peqinit, në aksin kryesor Peqin–Elbasan, persona te paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit “Golf 6”, që drejtohej nga Andi Zylyfi dhe pasagjer në vendin e parë ishte Ardit Uruçi. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur Andi Zylyfi, i cili është dërguar ia pa jetë në Spitalin Rajonal Elbasan, ndërsa Ardit Uruçi, është dërguar i plagosur në Spitalin e Traumës, në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Edhe për këtë ngjarje ka dhënë deklarime Nuredin Dumani, i cili ndër të tjera ka shpjeguar se ka pasur një konflikt me Talo Çelën, pasi ka dalë nga burgu ne vitin 2019. Kjo, për arsye se e kishte ndjerë vetën të përdorur pas vrasjes së Andi Zylyfit, duke qenë se ishte përdorur makina që i kishin falur dhe ai po e mbante që ta shfrutëzonte për një tjetër ngjarje, por ata e përdorën për atë vrasje.

Nuredin Dumani: Unë vetë i kërkova Talos të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha se nuk më fuste dot pasi ishte në pjesë Miri Haxhia dhe Altin Ndoci, që kishin marrë kaparin. Talo më tha që do të ma zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë, 2 ose 3 ditë pas ngjarjes, po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ata kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime, thërritën dhe vëllain e madh po s’ka lidhje. Mbasi i është bërë atentati Andi Zylyfit kam shkuar me urdhër të Talos tek Dine Çami, i cili ka një lokal diku në qendër të Elbasanit. Kam marr një qese të zezë me lekë të ndara në 2 pjesë. Dine Çamit, lekët për vrasjen e Andi Zylyfit ia ka dhënë Kel Kamami. Dine Çami është burri i tezes së Kel Kamamit.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria arsyeton se, në analizë të provave të grumbulluara, krijohet dyshimi i arsyeshëm se vrasjen e kanë realizuar Talo Çela, Altin Ndoci, Dine Cami dhe Tos Gosa.

2 Mars 2020

Vrasja në rrethana cilësuese e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë

Më datë 02.03.2020, rreth orës 19.00, në vendin e quajtur lagjja nr. 14 “Nishtulla” Shkozet Durrës, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri nga një mjet tip Benz, në drejtim të shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, për pasojë të dy kanë gjetur vdekjen. Ditën e ngjarjes rreth orës 18.30 viktima Dorian Shkoza ka qenë në servisin e tij te “Nishtulla” duke punuar, kurse viktima tjetër Anxhelo Avdia rreth orës 18.30 ka takuar shokun e tij Bajram Prollo me të cilin kanë shkuar në kafe afër serivisit të Dorian Shkoza dhe janë takuar me këtë fundit. Në një moment kur viktima Dorian Shkoza i trembur nga lëvizjet e një mjeti tip Benz ka shkuar t’i pyes shtetasit nëse kishin parë ndonjë makine me xhama të errët, u ka ardhur menjëherë te këmbët  makina Benz me xhama të zinj dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë me viktimat është dëgjuar një e shtënë arme nga brenda makinës. Viktimat dhe shtetasi Bajram Prollo janë munduar të shmangen, duke u larguar, ndërkohë që nga mjeti kanë zbritur dy prej autorëve të cilët kanë qëlluar disa herë në drejtim të tyre dhe si pasojë ka vdekur menjëherë shtetasi Dorjan Shkoza dhe është plagosur shtetasi Anxhelo Avdia i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.

Lidhur me këtë çështje të hetuarit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, kanë dhënë të dhëna për përfshirjen e tyre në këto dy episode si dhe të shtetasve të tjerë. Nga deklarimet e tyre, të cilat janë në unison me njëra-tjetrën ka rezultuar se në vrasjen e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, janë të përfshirë të hetuarit Arjan Spahija, i vrarë në Belgjikë, Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Asllan Plaku.

Nga deklarimet që ka dhënë Klevis Alla, fillimisht implikonte veten, të hetuarit Talo Çela, Altin Ndoci dhe një person të quajtur Ilir me nofkën “Bubi”. Më pas ai ka saktësuar se personi me nofkën “Bubi”, ishte Nuredin Dumani. Këtë fakt ai e argumenton për arsye se Nuredin Dumani ishte një person shumë i rrezikshëm të cilin ai e njihte shumë mirë i cili kishte shumë njohje dhe lidhje në policinë e Durrësit dhe ai kishte shumë frikë prej tij. Po kështu ka deklaruar se Nuredini e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit se do i vriste motrën.

27 Prill 2020

Vrasja në rrethana cilësuese e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia

Më datë 27 prill 2020, rreth orës 16.35 në vendin e quajtur tregu i makinave në Shënavlash Durrës, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit  Besmir dhe Viktor Haxhia dhe kufomat e tyre janë gjetur brenda në makinën tip “Golf 6”.  Mbi asfalt, pranë mjetit të viktimave, janë gjetur 55 gëzhoja automatiku. Nga këqyrja e mëtejshme, makina e vëllezërve Haxhia ka rezultuar me dëmtime të shumta në pjesë të xhamit të përparme dhe xhamave anësore, në pjesë kofanos dhe të dyerve.

Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes është marre menjëherë dhe është këqyrur telefoni i Besmir Haxhisë, i cili ishte i hapur. Në këtë telefon është gjendur një sms i një personi të panjohur dhe të paregjistruar si emër, i cili i thoshte: “Po të pres te tregu i makinave në Shënavlash”. Menjëherë janë marrë të gjitha logimet e këtij numri. Nga ekzaminimet e kryera, ka rezultuar se ky numër ka qenë në përdorim nga Klevis Alla. Në këto kushte, është bërë shoqërimi i tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe është pyetur rreth përdorimit të këtij numri, vendndodhjes se tij ditën e ngjarjes, rreth dijenisë së tij në lidhje me ngjarjen dhe në drejtim të rrethit të tij shoqëror. Gjatë pyetjes, Klevis Alla ka pranuar të tregojë dhe të dëshmojë rreth ngjarjes, duke deklaruar se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe shtetasit Altin Ndoci, Nuredin Dumani dhe Talo Çela.

20 Korrik 2020

Vrasja me paramendim e Emiljano Ramazanit në Elbasan

Më datë 20 Korrik 2020, rreth orës 16:00, në lagjen “28 Nëntori”, në Elbasan, në oborrin e një pallati u gjet i vrarë me armë zjarri Emiljano Ramazani. Ai ishte qëlluar për vdekje brenda makinës “Ford Focus”. Rreth orës 16:44 të po kësaj dite, në fshatin Vidhas, të Elbasanit, u gjet tërësisht i djegur automjeti “Volkswagen Passat”, ngjyrë blu dhe brenda tij janë gjetur 2 armë zjarri automatike pa fishekë.

SPAK, pasi ka kryer veprimet hetimore të çmuara të nevojshme ka dërguar për gjykim të pandehurit Erion Alibej, Euglen Halili dhe Xhuliano Hoxha, ndërsa ka vijuar hetimet në lidhje me zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Në kuadër të procedimit është administruar deklarimi i Henrik Hoxhajt, i cili jep detaje shumë të rëndësishme në lidhje me porositësin, ekzekutorin si dhe rolin e tij në kryerjen e këtij krimi. Hoxhaj deklaron se ai ka qenë në rolin e ndihmësit në kryerjen e këtij krimi, pasi drejtonte makinën që u gjet e djegur. Ndërsa identifikon ekzekutorin, që sipas tij është Skerdi Tasi, personi i cili afrohet tek automjeti dhe qëllon me armë zjarri Emiljano Ramazanin. Gjithashtu Henrik Hoxhaj shpjegon se këtë vrasje e ka bërë me pagesë pasi këtë ia ka kërkuar i dyshuari tjetër në krim, Nuredin Dumani.

Nga ana tjetër, për ngjarjen ka dhënë shpjegime edhe Nuredin Dumani, i cili ka shpjeguar se porosinë për vrasjen e Emiljano Ramazanit  e kishte marrë nga Erion Alibej Arjan Spahiu.

SPAK ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Erion Alibejt, Xhulian Hoxhës e Euglen Halilit, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit, por edhe për vrasjen e Regis Runaj më datë 29 korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit. Në vijim çështjet në ngarkim të të pandehurve është ndarë duke i dërguar ata për gjykim sipas akuzave respektive.

17 Shtator 2020

Vrasja e Bujar Çelës afër rrethrrotullimit të Bradasheshit

Më datë 17 shtator të vitit 2020, rreth orës 05:40, Policia është njoftuar për një ngjarje të ndodhur në lokalin e Ymer Skurës në fshatin Bradashesh. Forcat e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku si pasojë e të shtënave me arme zjarri, kishte mbetur i vdekur Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën të shpërndara në formë të çrregullt 20 gëzhoja. Policia konstatoi se lokali monitorohej me kamera sigurie, ku njëra ishte brenda dhe tre ishin jashtë saj. Nga ana e policisë gjyqësore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale DVR e kamerave të instaluara. Gjatë kohës që policia ndodhej ende në vendngjarje, kanë marrë njoftim se në rrugën që të çon në fshatin Murrash është konstatuar duke u djegur një makinë. Nga hetimet ka rezultuar se mjeti ishte tip “Renault”, ngjyrë gri.

Në lidhje me këtë ngjarje ka dhënë deklarime Nuredin Dumani, i cili ka treguar motivin e ngjarjes. Sipas tij, ai u vra sepse dy ditë para ishte vrarë miku i tij Klevis Kapllani në Rrogozhinë. Ai dyshonte se Kapllani ishte vrarë nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa.

Nuredin Dumani: Arsyeja e vrasjes së Klevis Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës, vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60 mijë euro. Jemi takuar në 16 shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit, pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobusët që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions, 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha, thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit…

15 Nëntor 2020

Shpërthimi me eksploziv në pronën e Talo Çelës në Katund i Ri

Rreth orës 4:20, të mëngjesit, ndodh një shpërthim në banesën dy katëshe  të Talo Çels, në fshatin Katund i Ri të Bradasheshit. Lidhur me këtë çështje është administruar deklarimi i Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës më datë 15 prill 2022, i cili sqaron se:

Nuredin Dumani: Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit. Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn, të cilit i kam ofruar 15 mijë euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen.

Dumani ka shpjeguar se për ngjarjen ishin paguar 20 mijë euro nga Arjan Spahia. Në kohën që është vendosur eksplozivi ai ka qenë në Kosovë, por bisedonte me Henrik Hoxhajt përmes aplikacionit SKY. Nga deklarimi i Dumanit, duket se qëllimi i tyre ka qenë më serioz, pa çka se ndodhi vetëm një dëmtim i shtëpisë.

Nuredin Dumani: Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kolona të banesës së Talo Çelës. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin.

18 Janar 2022

Tentativa e vrasjes së Lulzim Mashës pranë Liqenit në Tiranë

Më 18 janar të vitit 2022, në orën 9:40 të mëngjesit, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një person ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit “Mercedes Benz ML”, që drejtohej nga Lulzim Masha, i cili ka mbetur i plagosur.

Edhe rrethanat e kësaj ngjarje janë sqaruar nga Nuredin Dumani, po ashtu edhe nga Skerdi Tase. Dumani pretendon se porosinë e kishte marrë nga Suel Çela. Ai ka deklaruar se porosia ishte që për të vrarë administratorin e shkollës private, Lulzim Masha, por ngjarje mbeti në tentativë. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Suel Çelën dhe i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës. Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka ofruar shumën 150 mijë euro për vrasjen.

Nuredin Dumani: I thashë Rikut që do t’i jepja 100 mijë euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin Matrix. Ai pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Riku ka ardhur në Kosovë dhe i dhashë një armë “Skorpions” që e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen, Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku.

29 Mars 2022

Tentativa për të vrarë Elton Kilën me porosi të Suel Çelës

Më datë 29 mars të vitit 2022, rreth orës 17:25, Policia e Elbasanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Papër, ku gjithashtu ndodhej edhe një makinë e braktisur. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarjen që ndodhet pranë vendit të quajtur “Ura e zezë”, në kryqëzimin e rrugës Elbasan-Cërrik- Belsh- Gramsh. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur 9 gëzhoja arme zjarri, ndërsa përreth janë fiksuar copa xhamash të thyer.  Policia ka vijuar me këqyrjen e automjetit të braktisur, një fuoristradë e zezë, “BMW X5”, që derën e parë të pasagjerit e kishte të hapur plotësisht. Makina ishte e ndezur dhe me dy gomat e krahut të djathtë të çara, të shfryra plotësisht. Pranë saj, në tokë, Policia gjeti edhe një bidon me benzinë e një çakmak. Mbi sinjalin e pasmë, në anën e majtë kishte vrima të shkaktuara nga plumbat dhe xhami në derën në të njëjtin krah ishte thyer plotësisht, ndërsa xhami i parë ishte i krisur e me një vrimë të çrregullt. Nga verifikimi, automjeti rezultoi me numër shasie të dëmtuar dhe të palexueshëm. Brenda mjetit, ekspertët fiksuan gjurmë papilare dhe mbetje biologjike që u ekzaminuan.

E pikërisht në këtë mjet, rezultoi të ishte plagosur i shumëkërkuari Nuredin Dumani. Më 29 mars të vitit 2022, ditën kur mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën, i njohur me pseudonimin “Oti”. Këtë ngjarje për SPAK e ka zbardhur Henrik Hoxhaj, i cili ka thënë se Dumani ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë. Më tej Hoxhaj ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredin Dumani.

Dumani i ka premtuar se do të paguhej 70 mijë Euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredin Dumani që ta kryenin bashkë.

Më datë 26 mars 2022 kanë shkuar të dy për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henrik Hoxhaj shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan 3 ditë më vonë, më 29 mars për të mbaruar punën e lënë në mes. Por teksa janë nisur me makina të ndryshme, Hoxhaj tregon se në një moment ka marrë një mesazh nga Dumani që i ka thënë se e kanë plagosur. Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar në Fier dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Henrik Hoxhaj: Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë…. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan, emrin e të cilit nuk e di por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh në krah të një karburanti dhe mobilierie. Kam shkuar disa herë në Elbasan që të vrisja personin, foton e të cilit ma kishte sjellë Nuredini. Ai me pati premtuar se do të paguhesha 70 mijë euro. Pasi kam studiuar terrenin e pashë që e kisha të vështirë ta vrisja, prandaj ka ardhur Nuredini që ta kryenim vrasjen bashkë.

E duke qenë se nuk e realizonte vrasjen i vetëm, më 26 mars është kthyer nga Kosova Nuredin Dumani dhe janë organizuar që ta kryenin vrasjen bashkë. Ata kanë vendosur që më 29 mars të shkonin në Elbasan për të vrarë Elton Kilën.

Henrik Hoxhaj: Jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15 unë dhe Nuredini, ai me “BMW X5” dhe unë “Benz”. Unë isha para për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në “BMW” dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur karburant makinës time në një karburant që nuk kishte kamera. Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Unë vazhdova për në qytet duke marre unazën, ndërsa Nuredini ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht, tek kryqëzimi i Cërrikut. Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim.

Gjatë kësaj kohe Henrik Hoxhaj ka futur makinën në lavazh dhe ka qëndruar në një lokal e më vonë ka bërë një xhiro pranë pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnin. Ndërsa lajmëronte edhe Nuredin Dumanin se nuk po e shihte atë person, por kishte parë një “Benz” të dyshimte.

Henrik Hoxhaj:  Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Ai tregon të gjitha detajet, lëvizjet që ka bërë në vendngjarje, marrjen e provave, armëve e më pas transportimin e Nuredin Dumanit drejt Fierit, ku ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore për të. Të gjitha këto thënie të Henrik Hoxhajt, janë provuar nga grupi hetimor.

Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë Elton Kilën. Sipas tij, Suel Çela i dërgonte foton e Elton Kilës në telefon. Në deklarimet e tij Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat e ngjarjes dhe personat e përfshirë.

Prill 2022

Planifikimi i vrasjes së Indrit Dokles për 500 mijë euro

Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022, ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj Ervis Martinajt për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal. I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, e përmendi edhe atë si person që kishte porositur vrasje. Dumani dëshmoi se Ervis Martinaj kishte ofruar deri në 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles.

Për këtë porosi ai ka deklaruar se ka marrë paradhënie shumën prej 100 mijë eurosh. Gjithashtu Nuredini shpjegon se në emër të Ervisit kanë vajtur dhe e kanë takuar në Kosovë dy persona, një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Ata kanë vajtur me një automjet tip Hummer. Gjatë takimit Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar me Elvisin i cili i ka propozuar vrasjen e Indrit Dokle.

Në lidhje me këtë moment Henrik Hoxhaj ka shpjeguar se:

Henrik Hoxhaj: Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e Indrit Dokles. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500 mijë euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje unë e kam parë këtë makinë tek rotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin.

Por duket se dosja “Plumbi i artë”, mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Pas arrestimit, të paktën edhe në dy dosje të tjera që janë bërë tashmë publike, emri i Nuredin Dumanit del në skenë sërish si vrasës i kontraktuar. Në dosjen “Metamorfoza” zbulohet plani për të vrarë Dorian Dulin, të cilin Behar Bajri ishte gati të paguante shifra të mëdha. Për këtë ishte kontraktuar edhe Nuredin Dumani që në këmbim kërkonte informacion për Talo Çelën. Por krimi nuk u realizua.

Po ashtu, emri i Dumanit u përmend edhe në operacionin e nëntorit të vitit 2023. Komunikimet në “Sky” të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, përveçse çuan në zbulimin e një grupi që kryente trafik lëndësh narkotike, hodhën drite edhe rreth disa planeve për ekzekutime. Grup dyshohej se po planifikonte vrasjen e kundërshtarëve, në periudha të ndryshme mes vitit 2019 – 2021, në Shqipëri dhe Angli, konkretisht dy vëllezër shqiptarë. Një nga të akuzuarit e kësaj dosje, Bujar Ajeti, që është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, ka komunikime për plane vrasjesh edhe me Nuredin Dumanin.

E duket se asgjë nuk përfundon me kaq e madje jo vetëm në Shqipëri. Më 19 janar, Dumani është marrë në pyetje nga edhe nga dy hetues italianë të Antimafias. Ka dyshime se Dumani ka informacione edhe për krime që kanë ndodhur në vende të tjera përveç Shqipërisë. Agjentët e Antimafias italiane e pyetën Dumanin për të dhëna me interes lidhur me disa episode mes tyre edhe për trafik lëndësh narkotike, por edhe vepra të tjera penale.

Një gjë është e sigurt, të paktën 5 vrasës me pagesë, të vetëdeklaruar, me në krye Nuredin Dumanin, shumë shpejt do të jenë brenda një salle gjyqi. Nuk ndodh shpesh, që në të njëjtin ambient të ketë kaq shumë vrasës. Me deklarimet e tij, Nuredin Dumani konfirmoi atë përshkrim që bëri për të vajza adoleshente, të cilën ai e trafikoi. Ai e pohoi vetë se ishte i aftë të bënte gjithçka, sidomos të vriste. Ai sot është kthyer në të penduar dhe nuk dihet se sa do të përfitojë nga ky status. Por tashmë është fakt. Ai nuk ishte thjeshtë një vrasës me pagesë, por edhe një vrasës serial.