KOSOVË- Bashkimi Evropian ka reaguar për operacionet e Policisë së Kosovës, që çuan në mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, duke thënë se mbyllja e tyre do të ketë efekte negative.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut.
“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e BE-së.
Të shtunë në mbrëmje në lidhje me këtë çështje reagoi edhe ShBA-ja. Ambasadori Jeffrey Hovenier, tha se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, tha Hovenier në një komunikatë të shtunën pak para mesnatës./ abcnews.al