Kthjellime dhe vranësira të shpeshta, temperaturat arrijnë deri në 19 gradë

schedule07:10 - 3 Shkurt, 2024

schedule 07:10 - 3 Shkurt, 2024

Pjesa e parë e ditës do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët në zonat bregdetare dhe në shumë qytete të zonës së ulët ndërsa në zonat malore do të ketë kthjellime dhe vranësira të shpeshta. Parashikohet që në orët vijuese vranësirat gradualisht të shtrihen në të gjithë territorin shqiptar, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe verilindore por nuk priten reshje në territor.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes por edhe mesdita sjell një rritje të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -1°C deri në 19°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur në momente të veçanta shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi Veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit dhe mesdita do të sjellin në Republikën e Kosovës mbizotërim të intervaleve të gjata me kthjellime të cilat më të dukshme pritet të jenë në zonat Jugperëndimore. Ndërsa në zonat Veriore dhe Lindore do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Por pritet që pa mesdite vranësirat gradualisht të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës, ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zonat Veriore dhe veriperëndimore të Kosovës. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C deri në 13°C. Era do të fryjë e lehtë por herë pas here forcohet duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Territori i MV do të vijojë me kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash edhe gjatë ditës ku kthjellimet do të jenë më të dukshme gjatë paradites; më të theksuara në zonat Jugore dhe Perëndimore. Ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe në vijim; vranësirat e shpeshta do të shfaqen në të gjithë territorin e MV, ku më të fokusuara pritet të jenë në zonat Veriore dhe Verilindore. Temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit regjistrojnë -2 gradë në Ohër dhe në mesditë do të ngjiten deri në 15 gradë C në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë e lehtë por herë pas here forcohet duke arritur shpejtësinë 30 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor.

Europa

Aktivizimi i një qendre të fuqishme ciklonare mbi Europën Qendrore, do të sjellë kushte të paqëndrueshme atmosferike në Europën Qendrore si edhe rajonin e Balltikut të cilat do të mbizotërohen nga vranësira dhe reshje të dendura shiu e dëbore. Po ashtu me vranësira dhe reshje të konsiderueshme dëbore mbeten vendet e Europës Lindore ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave relativisht të larta paraqiten gadishulli Iberik, gadishulli i Ballkanit si edhe brigjet e detit të Zi. Po ashtu me mot të kthjellët por të ftohtë do të jenë gadishulli Skandinav si edhe ishujt britanikë./abcnews.al