Drejtësi për Deharin, Abazi: Dështim nëse sillemi si Rama me 21 Janarin

schedule08:47 - 25 Tetor, 2019

schedule 08:47 - 25 Tetor, 2019

Një ditë më parë u publikuan konkluzionet e hetimeve të pavarura të një instituti zviceran lidhur me rrethanat e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Sipas hetimeve dyshimet janë se Dehari është vrarë dhe jo vetëvrarë.

Drejtuesi i Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi, deklaroi se nëse LVV sillet si kryeministri Rama me çështjen e 21 Janarit pasi erdhi në pushtet, atëherë edhe me drejtësinë për Deharin do të kenë dështuar plotësisht.

Abazi theksoi se LVV ka vullnetin për të vënë drejtësi jo vetëm për Astritin, por për të gjitha vrasjet politike që janë kryer pas luftës së Kosovës.

“Nëse ne sillemi siç është sjellë Edi Rama pasi ka ardhur në pushtet me çështjen e 21 Janarit atëherë ne kemi dështuar plotësisht. Ne nuk dëshirojmë të përsërisim atë lloj procesi. Vullneti ynë është për ta çuar drejtësinë deri në fund, jo vetëm për Astritin, por për hsumë raste të tjera që kanë ndodhur pas luftës. Unë po them që kemi vullnetin maksimal për ta bërë këtë gjë dhe nëse nuk e bëjmë atëherë kemi të dështuar. LDK ka treguar interes të madh pasi ka qenë një nga aktoret që pësuar më së shumti nga vrasjet politike pas luftës”, tha Abazi, gjatë një interviste me Enkel Demin në “ABC-në e mëngjesit”.

Më tej, Bojken Abazi kujtoi edhe lëndimet që kishte pësuar Astrit Behari, e që më pas do i sillnin vdekjen.

“Astriti ka pasur 4 shenja në ballë, lezione që e kanë prekur deri në pjesën e kafkës. Kanë qenë shkaktuar nga një dorezë hekuri. Sipas deklaratave edhe të mjekëve ligjorë në Hagë. Ka pasur një shihe plastike të futur thellë në grykë. Shishja i ka çarë rrënjën e gjuhës. Astriti ka pasur disa gërvishtje në qafë të pashpjegueshme sepse ka qenë mëngjërash dhe ato ishin prerje në mënyrë horizontale. Më e rënda, shoku i qelisë së Astirit është gjetur i vdekur disa kohë pas vdekjes së Astrit. Edhe ai, unë dyshoj fort se është vrarë në burg si Astrit Dehari për të mbuluar krimin”, tha Bojken Abazi.

Ndërkohë, në studio pati lidhje me Skype edhe nga Kosova me ish-Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi. Ai tha se ka pasur një tendencë që Vetëvendosja të shpallej organizatë terroriste që të largohej nga loja politike.

“Ky është qëllimi. Astrit Dehari ka qenë aktivist politik. Kjo është vrasje e qartë për qëllime politike. Kjo nuk është vrasje aksidentale, por e qëllimtë e një kundërshtari politik për të frikësuar”, tha Kurteshi.

Astrit Dehari ndërroi jetë në 5 Nëntor 2016 teksa mbahej në qelitë e paraburgimit. Ai ishte shoqëruar si një nga personat e dyshuar për një aktin terrorist të sulmit me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të 2016. Aktualisht prokuroria e Prizrenit ka vetëm një person të proceduar për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!