Vetëm pak orë pas përhapjes së “thashethemit” më të bujshëm, të kampionatit më prestigjioz për garat e makinave në botë “Formula 1”, gjithçka është zyrtarizuar, me britanikun, Lewis Hamilton, i cili do të jetë pjesë e skuderisë “Ferrari”, në vitin 2025, me marrëveshjen që është konfirmuar nga vetë bordi i “Kokëkuqes”.
“Skuderia Ferrari është e lumtur të njoftojë se Lewis Hamilton do t’i bashkohet ekipit në 2025-n, me një kontratë shumë vjeçare”,- lexohet në postimin zyrtar të “Kokëkuqes” në rrjetet sociale, duke konfirmuar kështu lajmin që nisi të shpërndahet me shpejtësi vetëm mëngjesin e kësaj të enjteje, teksa menjëherë pas kësaj komunikate reagoi edhe 7 herë kampioni i botës.
“Kam kaluar 11 vite të shkëlqyera te skuadra e Mercedes dhe vendimi për t’u larguar nga këtu, ka qenë padyshim më i vështiri që kam marrë. Megjithatë ndjej që ishte momenti i duhur për ndryshim.Jam gati për sfidat e reja”,- është shprehur “legjenda” e skuadrës së Mercedes, duke konfirmuar kështu të gjithë aludimet.
Këshut, Hamilton do të marrë vendin e Carlos Sainz, i cili ka kontratë me “Kokëkuqen” deri në fund të vitit 2024, me pilotin spanjoll që konfirmoi se palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas këtij sezoni. /i.m /abcnews.al