Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar si rezultat i bashkëpunimit me autoritet e huaja.
Mësohet se bëhet fjalë për Paulin Simoni, i dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, për falsifikimin të dokumenteve të pronave në bregdetin e Lezhës, dhe një shtetas serb, i akuzuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente dhe përvetësonte sende të vjedhura.
Më 15 prill të vitit 2022, Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë vendimin për dosjen për tjetërsimin e pronave në Shëngjin nga ku
- Vlash Gazuli është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg,
- Kol Lleshi me 2 vite e 4 muaj,
- Marjeta Përskura 1 vit e 8 muaj burg,
- Luigj Paloka 5 vite burg,
- Paulin Simoni 3 vite e 8 muaj burg,
- Emanuel Gjura 6 vite burg,
- Zef Lazri 4 vite e 8 muaj
- dhe Blendi Ndokaj 6 vite e 8 muaj burg.
- Ndërkohë, 10 vite burg ne atë kohë është dhënë për Gjevi Ndokën, si dhe 5 vite e 4 muaj Mimoza Ndokës.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me homologët, ekstradohen 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohet nga Italia, një 39-vjeçar shqiptar i dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, për falsifikimin të dokumenteve të pronave në bregdetin e Lezhës.
Ekstradohet drejt Gjermanisë, një shtetas serb, i akuzuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente dhe përvetësonte sende të vjedhura.
Në vijim të bashkëpunimit me strukturat homologe në shtetet e tjera, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana ka ekstraduar 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:
-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar në Shqipëri, shtetasi shqiptar Paulin Simoni, 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datë 15.04.2022, e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Shtetasi Paulin Simoni, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime të kundërligjshme duke falsifikuar dokumentet e pronës dhe formularët e pronësisë, me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës.
-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, është ekstraduar drejt Gjermanisë, shtetasi serb 50 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur ne kerkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata Rajone e Ravensburg, me vendimin e datës 17.08.2023, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë./abcnews.al