Tirana merr drejtimin e rrjetit B-40/ Veliaj në Abc News: Ishte një ditë e mirë për kryeqytetin

schedule17:36 - 30 Janar, 2024

schedule 17:36 - 30 Janar, 2024

Tirana mori sot zyrtarisht Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve të Ballkani, B-40. Në samitin e mbajtur në kryeqytet, ku morën pjesë kryetarë bashkie dhe delegacione nga 54 qytete të Ballkanit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo është koha për bashkëpunim si kurrë më parë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha për ABC News se kjo dekoratë e re është një ngjarje e rëndësishme për kryeqytetin.

“B40 rrjeti më i madh i bashkive në rajonin tonë. Bëhet fjalë për mbi 50 bashki. Angazhimi i qyteteve është aq i rëndësishëm sa i shteteve. Presidenca e tretë është presidenca e Tiranës, për sfidën që ne kemi, besoj se do t’ia dalim. Sot kemi presidencën e B40. Nevoja për të mësuar nga njëri tjetri, nevoja për të koordinuar për fondet e BE. Sot ishte një ditë e mirë për Tiranë.”, tha ai.

Ai veçoi nevojën e fondeve të posaçme, që duhet të kenë bashkitë në përballimin e fatkeqësive natyrore. Kryebashkiaku propozoi gjithashtu, që të ketë një fond solidariteti për të gjitha bashkitë e rajonit tonë në raste fatkeqësish. I pari i Tiranës theksoi se qytetet e mëdha duhet të ecin me hapin e kohës kur vjen puna tek era e re e digjitalizmit.

“Tirana nuk është qyteti më i pasur në rajon, por mund të them se është një nga qytetet më solidare në rajon. Është një qytet që përgjigjet ndaj nevojave, me të njëjtin dinjitet siç menaxhuam pandeminë, tërmetin, ne besojmë te fqinjësia e mirë. Propozim tjetër është që duhet të përgatitemi për erën e re të digjitalizimit”, tha Veliaj./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!