Blinken thirrje Kongresit të miratojë paketën e ndihmës për Ukrainën

schedule09:10 - 30 Janar, 2024

schedule 09:10 - 30 Janar, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se është thelbësore që Kongresi të miratojë paketën e re të ndihmës për Ukrainën, duke paralajmëruar se gjithçka që ka arritur Kievi do të jetë në rrezik.

“Pa këtë gjithçka që kanë arritur ukrainasit dhe që ne i kemi ndihmuar ata të arrijnë, do të rrezikohet”, tha Blinken gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, i cili ndodhet në Uashington për një seri takimesh, bëri thirrje gjithashtu për vazhdimin e ndihmës për Ukrainë, duke theksuar se “lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë” dhe se “një fitore ruse vetëm sa do të intensifikojë qëndrimin e Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës”.

Mëngjesin e djeshëm Sekretari i Përgjith-6ëm i NATO-s u takua me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe zhvilloi bisedime me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Sot Stoltenberg do të pritet në Kongres, ku do të takohet me zyrtarë republikanë dhe demokratë, ndërsa negociatat dypartiake vazhdojnë për miratimin e një pakete të re ndihme për Kievin.

Stoltenberg tha se ishte “i bindur” se SHBA dhe vendet aleate të saj do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

SHBA ka miratuar tashmë dhjetëra miliarda dollarë Ukrainës pas pushtimit rus. Tani presidenti amerikan Joe Biden po i kërkon Kongresit të miratojë rreth 61 miliardë dollarë ndihmë të tjera.

Megjithatë, procedurat po zvarriten për shkak të kundërshtimeve të republikanëve, të cilët kërkojnë në këmbim të mbështetjes së tyre masa më të rrepta për ndalimin e emigracionit të paligjshëm përmes kufirit jugor të vendit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!