Shkëndija mes PS dhe PSD? Plas në Shkodër, ikën kryetarja e qarkut. Zëvendësohet nga një socialist

schedule19:54 - 29 Janar, 2024

schedule 19:54 - 29 Janar, 2024

Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Marina Duhani ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. E emëruar në korrik të vitit 2023, Marina Duhani do të zëvendësohet nga Edmond Ndou, nga radhët e Partisë Socialiste.

Zëvendësimi i Marina Duhanit me Edmond Ndoun shihet si një krisje në koalicionin mes Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate në Shkodër.

Duhani u dorëhoq nga detyra teksa grupi i Partisë Socialiste po finalizonte dokumentacionin për shkarkimin e kryetares së Këshillit të Qarkut të Shkodrës, ku ishte siguruar shumica absolute e firmave.

Vetë Marina Duhani ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqjen për shkak se do të mbajë një tjetër pozicion, por pa dhënë detaje. Marina Duhani u zgjodh në korrik të vitit të kaluar Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër si pjesë e marrëveshjes mes PS dhe PSD.

Ndërsa Edmond Ndou aktualisht është edhe kryetar i grupit të Këshilltarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak Shkodër. Më herët ai ka qenë edhe koordinator i LSI-së për Shkodrën ndërsa me largimin e deputetit Agron Çela nga kjo forcë politike dhe bashkimin e tij me PS, Ndou u bashkëngjit.

Gjithashtu ai ka qene edhe drejtues i Hipotekës së Shkodrës, ndërsa ka qenë edhe këshilltar i ish- Kryetarit te Bashkisë, Bardh Spahija gjatë mandatit të tij 10 mujor.

/abcnews.al/